Reforma zgjedhore – Arbi Agalliu për RTSH-në: PD nuk do të jetë në grupin e dialogut

Partia Demokratike e Lulzim Bashës, nuk do të bëhet pjesë e grupit të dialogut, ku do të shqyrtohet edhe reforma zgjedhore.
Deputeti dhe anëtari i Kryesisë së PD-së, Arbi Agalliu tha se Partia Demokratike gjykon se mazhoranca dhe një pjesë e opozitës, mbështetës së ish-Kryeministrit Sali Berisha janë në “Pazar”, dhe se prania e tyre edhe pse i është rezervuar një vend në këtë grup, do të ishte qesharake.
“I vetmi element dhe zhurmues në këtë situatë ishte të hiqej Alibeaj dhe të vendosej një koleg tjetër. Kjo ëhstë një lojë që në fund të ditës do ta vuajnë shqiptarët”, tha Agalliu.
Në intervistën për RTSH-në, Agalliu tha se këtë qëndrim, Kryesia e Partisë Demokratike e ka materializuar edhe në rezolutën e miratuar. Pavarësisht përpjekjeve për ta nxjerrë jashtë loje këtë parti në vendimmarrje të tilla, PD tha ai do të insistojë tek miratimi i kërkesave që ka për kodin e ri zgjedhor.
“Është Shqipëria një zonë, pabarazia e votës, listat e hapura, votimi elektronik dhe mbi të gjitha vota e diasporës që është dhe një detyrim kushtetues”, shtoi ai.
Agalliu tha se bashkëpunimi i shumicës me pjesën tjetër të opozitës u pa edhe tek bashkimi i votave në Kuvend për amnistinë penale.
Sipas tij, në mënyrë arbitrare nuk u konsiderua amendamenti i PD-së, për të përjashtuar nga amnistia, zyrtarët e lartë objekt hetimor i SPAK-ut dhe GJKKO-së.
Agalliu përgënjeshtroi që ky të ishte qëllimi i amendamentit të Gazment Bardhi, miratuar ne Kuvend.
“Përfitues janë edhe kjo kategori. Shumë shpjejt do të nxjerrim edhe emrat e individëve të cilët kanë përfituar nga amnistia, por që kanë qenë nën hetim apo janë dënuar nga këto subjekte“, tha Agalliu.
Arbi Agalliu tha se PD-së mbështet sistemin e drejtësisë ndërsa është kundër çdo mekanizimi që arrihet përmes marrëveshje politike okulte, për t’ju shmangur drejtësisë.
Gazetare: Anisa Kadesha
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




