Reforma zgjedhore, Idrizi për RTSH: PS e PD nuk kanë vullnet për hartimin e kodit të ri

Partia Socialiste dhe ajo Demokratike nuk kanë vullnetin për hartimin e Kodit të ri Zgjedhor, pasi kanë ende mentalitetin stalinist të dominimit të fushës politike. Kështu është shprehur në një intervistë për RTSH-në, kryetari i Partisë për Demokraci, Integrim dhe Unitet (PDIU), Shpëtim Idrizi.
“Gjithmonë dy partitë e mëdha kanë prodhuar këtë Kodin zgjedhor me probleme, me parimin stalinist se populli voton dhe dy partitë e mëdha numërojnë”, u shpreh Idrizi.
Kreu i PDIU-së tha se Kodi Zgjedhor ka parregullsi dhe probleme që duhet të përmirësohen urgjentisht edhe pse nuk e shmang skepticizmin se ajo që nuk u realizua në dy vite të realizohet në dy muaj.
“Me këtë kod kemi çudira të mëdha ku një parti mund t’i duhen 7-8 mijë vota për të nxjerrë një deputet ndërsa një partie tjetër i duhen mbi 10 mijë vota, marr rastin e PDIU-së në 2017 që ju deshën 12500 vota.
Sa i takon konfliktit brenda PD-së, Idrizi e quan “luftë civile“, mbarimi i së cilës tha ai, do të kushtëzojë nëse PDIU do të bëjë ose jo aleancë me të, në zgjedhjet e ardhshme.
“Duhet të dinë që ta mbarojnë luftën e tyre civilëve”, tha ai.
Idrizi tha se nëse PD do të vijojë me këtë situatë, PDIU nuk do të jetë në krah të saj në zgjedhjet e ardhshme.
Gazetare: Anisa Kadesha
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



