Rëndësia e Këshillit Bashkiak, pse partitë, gjithnjë e më shumë, po kërkojnë në KQZ rinumërim për këshillat?

Politikë | 3 vite më parë

Disa parti politike, kryesisht të vogla, kanë shtuar fluksin e ankimimeve në KQZ, duke kërkuar kryesisht rinumërim për këshillat bashkiakë. Deri tani ankimimet janë bërë nga PLL, Aleanca Demokristiane, Uniteti Kombëtar, të cilat kërkojnë rinumërim në Pukë, Lezhë, Kamzë, Durrës e Tiranë, për këshillat bashkiakë.

Po përse është i rëndësishëm përfaqësimi në këshillin bashkiak?

Ndonëse duket pak “sipërfaqësor” ky përfaqësim në raport me kryetarin e Bashkisë, rëndësia e këshilltarëve është shumë e madhe, pasi ata përbëjnë autoritetin e qartë të këshillit për të vepruar në emër të banorëve të komunitetit që përfaqësojnë.

Fusha e veprimit

Fusha e veprimtarisë publike që i atribuohen këshillit në emër të komunitetit që përfaqëson janë: – administrimi, tjetërsimi apo dhenia në përdorim e pronave publike vendore, – miratimi i buxhetit të njësisë vendore, lloji dhe niveli i taksave e tarifave apo për marrjen e kredive, – miratimi i strukturës organizative dhe rregullores bazë të administratës së bashkisë, si dhe të njësive e institucioneve buxhetore në varësi të saj, – përcaktimi i numrit të personelit, pagat dhe mënyrat e shpërblimit e të kualifikimit të punonjësve dhe personave të zgjedhur.

Këshilli i bashkisë është i vetmi organ që, në emër të komunitetit, në plotësim të detyrave të mësipërme, ka autoritetin për të marrë vendime, apo për të nxjerrë urdhëresa e urdhra. Ky autoritet për kompetencat ekskluzive të këshillit, nuk mund t’i delegohet një organi tjetër.

Përfaqësimi

Siç shihet dhe nga lista e sipërpëmendur, këshilltarët kanë në dorë dhënien në përdorim të pronave publike vendore, nivelin e taksave, pagat dhe shpërblimet, strukturat nëpër njësitë bashkiake etj.

Nisur nga  përgjegjësi dhe kompetencat, është e vetëkuptueshme se përse të gjitha partitë pjesëmarrëse në zgjedhjet vendore, kërkojnë të kenë përfaqësim në këshillin bashkiak.

Nga ana tjetër, kjo shpjegon dhe arsyen se përse kandidatët në garën për kryebashkiakë, paralelisht më kërkesën që ti votojnë si kandidatë, bëjnë thirrje që të votohet edhe lista e këshilltarëve bashkiakë të forcës politike që ata përfaqësojnë, pasi, nëse nuk kanë shumicën në këshill, puna në bashki thuajse paralizohet.

Zgjedhjet për anëtarët e këshillit bëhen sipas sistemit proporcional që u jep mundësinë subjekteve zgjedhore të përfaqësohen në këshill me një numër antarësh në raport me përqindjen e votave që kanë fituar në votim për këtë organ. Ndërsa kryetari zgjidhet me sistemin mazhoritar dhe fiton kandidati që ka marrë numrin më të madh të votave të votuesve përkatës.

/rtsh.al/ a.meta/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme