Rezoluta kundër raportit të Dick Martyt diskutohet sot në KE! Rama mbërrin në Strasburg, takon Presidentin e Asamblesë Parlamentare

Shqipëria i drejtohet sot Asamblesë së Këshillit të Europës për rezolutën “Mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri”, miratuar unanimisht në Kuvendin e Shqipërisë më 21 korrik 2022. Lajmi është bërë me dije nga Kryeministri Edi Rama i cili ka publikuar dhe pamje teksa mbërrin në Strasburg. Po ashtu, pak pas mbërritjes në Strasburg, kryeministri Rama është takuar dhe me presidentin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Tiny Kox.
Më tej, kreu i qeverisë njofton se në orën 15:30 do i drejtohet Asamblesë së Këshillit të Europës me një fjalim ku do kërkojë rishikimin e Rezolutës 1782 (2011) dhe shpalljen e akuzave për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës të pabaza. Sipas kreut të qeverisë, raporti famëkeq i Dick Marty-t nuk mund të gëzojë më rezolutën mbështetëse në fuqi.
Më 12 gusht Shqipëria i dorëzoi zyrtarisht Këshillit të Evropës Rezolutën kundër raportit të Dick Martyt “Mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri”. Kryeministri Rama bëri me dije se rezoluta iu dërgua vendeve anëtare dhe atyre me statusin e vëzhguesit të Këshillit të Europës; Sekretares së Përgjithshme të Këshillit të Evropës; Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës; Presidentit dhe zv/presidentëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës; Sekretares së Përgjithshme të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës; Komitetit për Çështjet Politike dhe Demokracinë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës; Komitetit për Çështjet Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Më 21 korrik Parlamenti miratoi me 125 vota pro Rezolutën “Mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




