Rikthehet Festivali Folklorik në Gjirokastër, “sofra e trashëgimisë” sjell paradën e motiveve, këngëve dhe valleve tradicionale

Kulturë | 3 vite më parë

Pas 8 vitesh mungesë, kalaja e Gjirokastrës do të vishet sërish nga motive tradicionale, ngjyra dhe këngët e vallet shqiptare nga të gjitha krahinat.

Nga 24 qershori deri më 1 korrik 2023 do të zhvillohet Festivali Folklorik Kombëtar në Gjirokastër, i cili për herë të fundit u zhvillua në vitin 2015.

Festivali Kombëtar Folklorik i Gjirokastrës është ngjarja më e rëndësishme dhe sofra më e madhe e trashëgimisë kulturën shqiptare.

Parada e motiveve, ritmeve, ngjyrave, këngëve, valleve, riteve do të shpalosen në paradën që do të zhvillohet në qytetin e gurtë.

Lajmin e rikthimit të Festivalit Folklorik Kombëtar në Gjirokastër e ka ndarë dhe kryeministri Edi Rama.

“Mirëmëngjes dhe me lajmin e bukur të rikthimit të Festivalit Folklorik Kombëtar në Kalanë e Gjirokastrës së zbukuruar e gjallëruar si me magji nga ngjyrat, motivet, ritmet, këngët e vallet e të gjithë krahinave shqiptare, ju uroj një të diel të paqtë”, shkruan Rama në facebook.

Festivali u mbajt për herë të parë në vitin 1968 dhe qëllimi kryesor i tij është pasqyrimi i gjerë i gjinive të folklorit dhe vlerave të tij. Ky festival ka gjithashtu si qëllim të mbrojë dhe promovojë vlerat më të mira muzikore, koreografike, etnografike të krijuara prej shekujsh.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme