Rikthehet Ramadan Ndreu, Tërbuni i beson stolin

Futboll Vendi | 4 vite më parë

Një vazhdë prej 4 ndeshjesh pa asnjë fitore, duke marrë vetëm 1 nga 12 pikët e mundshme në takimet e zhvilluara gjatë fillimit të 2023-shit dhe një vend i 9-të në renditje, me vetëm 20 pikë të marra në 16 javët e këtij sezoni, kanë çuar në ndërrimin e trajnerit të skuadra e Tërbunit të Pukës. Nëpërmjet një njoftimi në profilin e tij në rrjetet sociale, klubi pukjan ka bërë të ditur pasdreke shkarkimin nga detyra të trajnerit Alert Alcani, të cilin e ka falënderuar për punën e bërë gjatë këtyre 9 muajve në drejtim të ekpit.

Ndërkaq, një orë më pas, në një tjetër njoftim, Klubi i Tërbunit ka bërë të ditur se ka arritur marrëveshjen me trajnerin Ramadan Ndreu për të drejtuar ekipin deri në fund të sezonit, me një mundësi rinovimi të kontratës dhe për një sezon tjetër nëse ekipi arrin objektivat e caktuar. 56-vjeçari Ndreu ka një karrierë të pasur si trajner, më së shumti  me ekipin e Kastriotit të Krujës, si në Kategorinë e Parë, por edhe në Kategorinë Superiore, me ekipe si Kamza, Kukësi dhe Laçi, teksa ka qenë edhe në detyra të tjera.

Hëpërhë, Ndreu, i cili kishte mbi 14 muaj që mungonte në stolat shqiptarë, e merr drejtimin e Tërbunit në zonën e “play-out”-it dhe detyra e tij e parë do të jetë ngjitja në renditje e skuadrës pukjane, drejt sigurisë, teksa synimi për t’u rikthyer, pas disa vitesh në nivelin më të lartë, në Kategorinë Superiore, duket një mision i vështirë.

Prova e parë e Ndreut me Tërbunin është ndeshja e javës së 17-të, kur do të presë në fushën e vet Besëlidhjen e Lezhës, që renditet në vendin e parafundit, me vetëm 14 pikë, 7 më pak sesa pukjanët.  

 

         

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme