Rimarrja e patentës, vetëm 13.3% e kalojnë testimin e detyruar

Vetëm 113 persona nga 848 riregjistrime në autoshkollë për shkak të heqjeve të pikëve të patentës, e kanë rifituar Lejen e Drejtimit gjatë periudhës Qershor 2022-Janar 2024, njofton Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor.
Sipas saj zbatimi i akteve ligjore që ashpërsonin masat ndaj personave që nuk respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, ka bërë që rieduktimi të mos rezultojë me marrjen e lejes së drejtimit nga të gjithë ata që humbën atë.
Në seancën e fundit të zhvilluar, nga 25 riregjistrime, u paraqitën 14 kandidatë ku vetëm 2 prej tyre rezultuan fitues, njofton DPSHTRR.
Sipas kuadrit ligjor të gjithë shtetasit, të cilët janë pajisur me leje drejtimi para datës 16.04.2015, që janë pjesë e Regjistrit Kombëtar të Drejtuesve të Mjeteve, kanë përfituar në sistem 20 pikë.
Drejtuesve të mjeteve që janë bërë pjesë e Regjistrit Kombëtar të Drejtuesve të Mjeteve pas datës 16.04.2015, numri prej 20 pikësh iu jepet në datën që bëhen pjesë e këtij regjistri.
Heqja e pikëve bëhet automatikisht në sistem në bazë të njoftimeve për shkelje të të normave të sjelljes siç është parashikuar në kapitullin V, të Kodit Rrugor.
Të gjithë ata që humbasin pikët e patentës janë të detyruar sipas kuadrit ligjor në fuqi që të kthehen në autoshkollë dhe të ndjekin kursin normal teorik dhe praktik të riedukimit ndërkohë që pas përfundimit do të duhet që t’i nënshtrohet testit njëlloj si çdo i regjistruar për herë të parë. Masat për riedukimin e shoferëve problematikë synojnë disiplinimin e tyre në rrugë.
/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




