Rindërtimi/ Tabaku interpelancë me Ibrahimajn: Qeveria s’mbajti premtimet! Ministrja: S’parashikonim dot pandeminë dhe luftën

Politikë | 4 vite më parë

Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, në interpelancën me Ministren e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, i ka kërkuar asaj llogari në lidhje me procesin e Rindërtimit. Tabaku akuzoi qeverinë se nuk ka mbajtur premtimet në lidhje me këtë proces, duke përmendur afatin e përfundimit të tij, ku ish-ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj pati theksuar si kufi kohor vitin 2021.

“Në vitin 2019, një tërmet tragjik goditi vendin dhe 51 shqiptarë humbën tragjikisht jetën ndërsa mbi 3000 të tjerë u plagosën. Qeveria shqiptare morri pjesë në fillim të 2020 në një konferencë donatorësh organizuar nga Bashkimi Europian dhe jo vetëm për të përfituar një shumë prej 1.15 mld eurosh nga të cilat 295 mln euro në formën e granteve dhe 853 mln euro në formën e kredive të buta. Ndërsa kryeministri fillimisht vuri si kufi kohor vitin 2021 për të përfunduar procesin e rindërtimit, ndërkohë që ish zv kryeministri Ahmetaj në një interpelancë me kolegun Xhaferri deklaroi se në vitin 2022 procesi i rindërtimit ka përfunduar. Pas fatkeqësisë, qeveria shqiptare ngriti ministrinë e rindërtimit për të mbarëvajtur procesin e rindërtimit. Ndërkohë që flasim as ministria e rindërtimit dhe as ministria e Financave dhe Ekonomisë nuk kanë një raport të qartë të kostove dhe ndërtimit në fushën e rindërtimit. Sot, shqiptarëve u themi që procesi i premtuar i përfundimit të rindërtimit është i gënjeshtër. Raporti i OSBE-ODIHR vuri në dukje se procesi i rindërtimit u bë pis pasi u përdor për interesa elektorale ndërkohë që transparenca për këtë proces dhe fondet e alokuara për të është shumë e lartë. Ne, nuk kemi asnjë informacion jo vetëm se kur pritet të përfundojë procesi i rindërimit? Në buxhetin e shtetit ka një fond prej 5 mld lekësh të alokuar për një proces që dukshëm është shumë larg përfundimit”, u shpreh Tabaku.

Deputetja akuzoi se nuk ka patur transparencë nga qeveria dhe as shpjegime lidhur me fondet e marra dhe granteve pas tërmetin.

“Na mungojnë informacione në lidhje me kostot totale të këtij procesi; Sa është fatura e rindërtimit në total? Sa është vlera totale e fondeve që janë alokuar me VKM? Në tre vjet e gjysmë pas rënies së tërmetit ne nuk kemi arritur të kuptojmë realisht sa është vlera pasi ish ministri i financave dhe ekonomisë dhe përgjegjës për sektorin e rindërtimit ka deklaruar më herët që ky është një proces dinamik. Sot, a mendon njësoj ministrja Ibrahimaj? A mendon dhe ajo që ky është një proces dinamik që ndryshon nga çasti në çast apo ka për shqiptarët një përllogaritje të saktë të vlerës që do të marrë dhe ka marrë deri më tani rindërtimi?”, tha Tabaku.

Ministrja Ibrahimaj iu përgjigj duke i konsideruar akuzat si “baltë” e hedhur mbi një proces për të cilin, sipas Ministres, qeveria ka marrë merita për mënyrën e menaxhimit. Teksa foli me shifra, Ibrahimaj u ndal te dëmet e shkaktuara nga tërmeti dhe përgjigjen e qeverisë, ndërsa në lidhje me vonesat për përfundimit të Rindërtimit, Ministrja tha se shkak ishin pandemia e COVID dhe pasojat e luftës në Ukrainë, kriza që nuk mund të parashikoheshin.

“Si mund të harrohet që pas tërmetit u prekëm nga pandemia dhe pas rimëkëmbjes nga pandemia, si gjithë bota u prekëm nga kriza prej luftës. Masat që merr qeveria për të përballuar të gjitha ato që ndodhën, nuk mund të merren si të shkëputura. Procesi i rindërtimit duhej të përfundonte në vitin 2021, po e parashikonim dot ne që e gjithë bota do mbyllej dhe e gjithë bota do shkonte në recesion? Sot ne kemi një proces rindërtimi që po vijon me ritme të shpejta, ndonëse jemi përballur edhe me 2 kriza të tjera. Ne kemi treguar se kontrata që ne kemi me qytetarët është angazhimi ynë më i madh, që na motivon drejt reformave. Nga tërmeti pati shumë dëmtime, pati viktima. Shkaktoi një dëm prej 120 mld lekësh, 40% e investimeve totale të vendit tonë apo 2 vite investim me mbështetje buxhetore me financim të brendshëm. Pas ngjarjes qeveria u angazhua duke marrë një sërë masash të menjëhershme. Një fond prej 270 mln lekësh u sigurua për akomodimi e qytetarëve në hotele në qarqet e prekura. Si asnjë vend tjetër i botës, në një kohë rekord, të dëmtuarve nga tërmeti iu dha mundësia të akomodoheshin në hotele dhe jo të qëndronin në çadra për muaj e vite. Ata që qëndruan në çadra sepse donin të ishin pranë pronës së tyre, e bënë atë me dëshirë. Janë 101.9 mld lekë fonde të akorduara nga shteti për transferta te individi dhe investim publik. Nga pikëpamja financiare janë 117.6 mld lekë fonde me vlerë të plotë të miratuara për kompensime, projekte dhe investime.  Janë 75.5 mld lekë financim i realizuar. Mos hidhni baltë mbi një proces për të cilin qeveria ka marrë merita për mënyrën si është menaxhuar”, tha Ibrahimaj.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme