Rithemelimi kundër kritereve për gradat në FA, Bardhi: I vetmi kriter për karrierë, firma për të tjetërsuar pronat

Grupi parlamentar i Rithemelimit ka deklaruar votën kundër projektligjit për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Sipas kreut të këtij grupi Gazmend Bardhi, ky projektligj nuk garanton kriterin e karrierës dhe ka doza të theksuara politizimi.
“Do ta votojmë kundër këtë ligj, sepse nuk garanton që ata të cilët kanë bërë karrierë me ndershmëri të marrin atë që u takon. I vetmi kriter për karrierë në Forcat e Armatosura, ka qenë vetëm firmosja e ndonjë prone për oligarkët. E kemi parë çfarë ka ndodhur, gradat dhe pozicionet i kanë marrë ata që kanë firmosur prona, i keni bërë gjeneral e ndonjë prej tyre e keni çuar edhe në presidencë. Pra, ky ligj vetëm për këtë bëhet”, theksoi Bardhi.
Gjatë punimeve të Komisionit të Ligjeve, Bardhi shprehu shqetësimin e mbjelljes së lëndëve narkotike në zonat e forcave të armatosura.
“Ne nuk mund të rrimë pa shprehur shqetësimin, kur shikojmë se në zonat e forcave të armatosura mbillen sipërfaqe të tëra me lëndë narkotike. Vlerësojmë çdo oficer karriere, çdo person që ka kontribuar por s’mund të heshtim për politizimin që keni bërë”, tha Bardhi.
Këto deklara janë bërë gjatë mbledhjes ku u miratua edhe kalendari i punimeve të këtij komisioni.
Gazetar H. Mahmutaj
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




