Roland Bejko takim me ekspertët: Do ndërtojmë parkingje, banesa sociale dhe do të ulim taksa

Në javën e fundit të fushatës, kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës Roland Bejko, ka zhvilluar një takim me ekspertë të urbanistikës dhe territorit.
Duke u ndalur në disa pika të programit të tij, Bejko tha se kanë si synim zonimin e Tiranës në 5 zona urbanistike që do të sjellë lehtësimin e trafikut. “Tirana ka nevojë të zonohet duke projektuar 5 zona urbanistike. Ky është angazhimi ynë, ta ndajmë Tiranën në 5 zona urbanistike, ose në atë që ne e quajmë Tirana policentrike, zona rekreative, zona industriale, zona spitalore, zona universitare. Përqendrimi i kullave të bëhet në Bulevardin e Ri” tha zoti Bejko.
Për të lehtësuar parkimin në Tiranë ai tha se do të ndërtojnë 5 parkinge të mëdha, mbi dhe nëntokësore në hyrje të Tiranës. Në këto parkinge qytetarët do të lënë mjetin, kundrejt një tarife 200 lekë dhe më pas me atë biletë mund të lëvizin gjatë gjithë ditës në transportin urban falas. “Puna e transportit nuk zgjidhet duke e bërë falas për të gjithë, se para se ta bëjmë falas duhet të bëjmë transport. Të garantojmë standarde dinjitoze për qytetarët” tha ai. Zoti Bejko tha se do të ndërtojnë edhe parkinge publike në çdo lagje.
Kandidati demokrat u ndal edhe tek rritja e çmimit të banesave. Sipas tij për t’i blerë një shtëpi në Tiranë një të riu do ti duhen 4-5 jetë.
” Ne do t’i shpallim luftë çmimit të lartë të banesave. Do ta ulim taksën ndaj ndërtuesve nga 12% në 5%. Ndërsa për banesat sociale do merret taksa 3%, një pjesë e mirë në para dhe pjesa tjetër në objekt” tha kandidati i PD. Lidhur me shpronësimet zoti Bejko garantoi qytetarët që çdo shpronësim do të bëhet me vlerën e tregut aktual, jo më vlerën e tregut 10 viteve para siç e bën Edi Rama me Erion Veliajn. Ne kemi propozuar ndërtimin e kopshteve, shollave dhe çerdheve në çdo lagje, 15 minuta larg banesës”, tha Bejko.
Në programin e tij kandidatit demokrat parashikon uljen e taksave me 50%, si edhe heqjen e taksës infrastrukturore dhe sportive.
/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




