Roland Garros: Kvitova përballë Kenin në gjysmëfinale

Petra Kvitova përballë Sofia Kenin , është kjo gjysmëfinalja e femrave të Ronald Garros 2020 që do të luhet të premten në Paris dhe do të transmetohet live duke nisur që prej orës 16:30 në RTSH Sport.
Edicioni i këtij viti ka dhuruar jo pak surpriza në disiplinën e femrave por nuk ishte rasti i dy çerekfinaleve të mesditës ku tenistja çeke, dy herë fituese e Wimbledon, siguroi biletën e gjysmëfinales së turneut grand slam që zhvillohet në fushë me dhe të kuq. 30-vjeçarja kaloi në dy sete lehtësisht gjermanen Laura Siemegund 6-3, 6-3 në 80 minuta lojë. Dominimi i Kvitovas ishte absolut, aq sa shumë shpejt u bë e qartë që tenistja gjermane nuk kishte armët e duhura në dispozicion për t’i bërë ballë. 6 ace, 2 dopjo faulle dhe 57 përqind e pikëve në shërbimin e parë.
Kvitova zhvilloi një ndeshje të disiplinuar duke përfituar nga 5 topa Break në 10 që kishte në dispozicion në total duke regjistruar plot 61 pikë, 20 më shumë se rivalja e saj. Kjo është gjysmëfinalja e dytë në karrierën e tenistes 30-vjeçare pas asaj të humbur në vitin 2012 kundër Maria Sharapova. Në sfidën, tjetër triumfuesja e Australian Open 2020, Sofia Kenin triumfoi në derbin amerikan kundër Danielle Collins 6-4 4-6 6-0.
Një sukses i ndërtuar në 2 orë e 4 minuta lojë ku Kenin zhvilloi një set të parë fantastik ku nuk i dhuroi kundërshtares asnjë lojë me topat e saj. Gjithsesi, Kenin humbi disi terren në të dytin por korrigjoi me shpejtësi në të tretin me një 6-0 të pastër duke mos lënë asnjë vend për zhgënjim. Gjysmëfinalja tjetër që do të luhet të premten duke nisur që prej orës 15:00 është ajo mes dy jofavoriteve Iga Sëiatek dhe Marta Podoroska.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




