Rrëmbimi i 3 efektivëve në veri, Osmani: Agresion nga Serbia, dëshmi se nuk i intereson paqja, por destabilizimi

Kosovë | 3 vite më parë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka dënuar rrëmbimin e 3 efektivëve  të Policisë së Kosovës, ngjarje e ndodhur këtë të mërkurë (14 qershor) në Leposaviç.

Në një postim në Facebook, Osmani e konsideron rrëmbimin e efektivëve nga Policia serbe si agresion nga Beogradi. Sipas Osmanit, Serbi po dëshmon se nuk i intereson paqja, por destabilizimi i Kosovës dhe i të gjithë rajonit.

“Kidnapimi i tre zyrtarëve policorë brenda territorit të Republikës së Kosovës është agresion nga ana e Serbisë. Ky akt dëshmon edhe njëherë se Serbia nuk është e interesuar për paqe e stabilitet në rajon, por për të shkaktuar destabilizim të Kosovës dhe gjithë rajonit. Akti i sotëm dëshmon se Serbia vazhdon të veprojë me logjikën e së kaluarës, tendencat hegjemoniste të së cilës kanë shkaktuar krime të tmerrshme dhe shumë viktima”, shkruan Osmani.

Ajo bën thirrje për lirimin “e menjëhershëm” të efektivëve, teksa thekson se një akt i tillë, sipas saj, kërkon  një reagim “të ashpër dhe veprim të unifikuar të komunitetit ndërkombëtar”.

“Policia e Kosovës ka treguar përkushtim e vendosmëri për ta ruajtur rendin dhe ligjin për të gjithë qytetarët pa dallim, ndaj një akt i tillë kërkon një reagim të ashpër dhe veprim të unifikuar të komunitetit ndërkombëtar ndaj tendencës së Serbisë për destabilizim të rajonit. Zyrtarët policorë duhet të lirohen menjëherë dhe pa asnjë kusht! Institucionet e Kosovës nuk do të heqin dorë nga angazhimi për sundimin e ligjit, sikurse edhe nga përkushtimi për paqe e stabilitet afatgjatë!”, thotë Osmani.

Policia e Kosovës njoftoi se tre efektivë të saj në pikën kufitare Tresave/Bare janë rrëmbyer nga forcat serbe. Ministri i Brendshëm i Kosovës tha se rrëmbimi është kryer 300 metra në brendësi të territorit të Kosovës, ndërkohë ministria e Brendshme e Serbisë, duke e konsideruar arrestim, thotë se efektivët kanë qenë brenda në territorin serb.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme