Rrëmbimi i 3 policëve në veri të Kosovës, BE: Jemi në kontakt me të dyja palët për të kuptuar dhe çfarë ka ndodhur, bëjmë thirrje për vetëpërmbajtje

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka reaguar në lidhje me ngjarjen e regjistruar të mërkurën (14 qershor) në veri të Kosovës, ku 3 efektivë të Kosovës u rrëmbyen nga Policia serbe.
Në një prononcim për Gazetën Express, Stano tha se janë në kontakt me Kosovën dhe Serbinë, për të kuptuar saktësisht se çfarë ka ndodhur.
“Ne jemi në kontakt me të dyja palët, si dhe me KFOR-in, për të përcaktuar se çfarë dhe si ka ndodhur saktësisht. Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga çdo veprim apo reagim që mund të kontribuojë më tej në ngritjen e tensioneve. Ne përsërisim thirrjen e BE-së për de-përshkallëzimin e menjëhershëm dhe vendimtar”, ka deklaruar Stano.
Pretendimet e Serbisë dhe Kosovës në lidhje me ngjarjen janë të ndryshme, ku Prishtina e konsideron rrëmbim, ndërsa Serbia arrestim. Në një deklaratë për mediat, Policia e Kosovës tha se efektivit ishin marrë brenda territorit të Kosovës, ndërsa Serbia reagoi duke thënë se ata nuk e kanë kaluar vijën e kufirit dhe se efektivët kanë qenë të armatosur “rëndë”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




