Historia jonë!
Përgjatë zhvillimit të Luftës Nacionalçlirimtare, Radio Tirana transmetonte për një kohë të kufizuar prej 1 orë e 30 minutash në ditë. Dëgjuesit potencialë ishin të paktë, pasi numëroheshin rreth 3000 aparate marrëse të shpërndarë në popullatë. Nga ndërtesa e çliruar e Radio Tiranës, valët radiofonike përcollën nga “Bulevardi Dëshmorët e Kombit” më 28 nëntor 1944, manifestimin e parë të zhvilluar në kryeqytetin e çliruar.
Duke filluar nga viti 1944, pajisja e familjeve shqiptare me një aparat radioje u rrit ndjeshëm në mënyrë të pandërprerë dhe për rrjedhojë, në vitin 1960 numri i dëgjuesve arriti në 400.000.
Transmetimi ishte shtrirë në 18 orë në ditë. Ndërkohë, krahas radios kombëtare, operonin në vend për një orar prej 4 orësh edhe 4 radio lokale: në Shkodër, në Kukës, në Korçë dhe në Gjirokastër.
Ndërkaq, valët e radios kombëtare synonin si audiencë edhe dëgjuesit e huaj. Kështu, transmetimi u diversifikua në gjuhët e vendeve fqinje, në anglisht dhe në frëngjisht. Qëllimi i transmetimit në territorin vendas dhe të huaj ishte thellësisht i ndikuar nga doktrina e regjimit të kohës, që impononte një agjendë propaganduese.
Nisja e transmetimit të parë televiziv në Shqipëri, daton më 26 prill 1960. Fillimisht, transmetimet direkte ishin të kufizuara për një fashë prej 3 orësh në 2 ditë të javës. Mandej, në vitin 1965, prania e ekranit shqiptar u dyfishua me 4 ditë transmetimi gjatë javës derisa në mënyrë graduale, programi televiziv u bë ditor.
Tematikat që trajtoheshin ishin të larmishme, duke përfshirë informimin mbi aktualitetin vendas dhe ndërkombëtar, realizimet kinematografike dhe aktivitetet kultore. Asokohe, transmetimet kryheshin përmes sistemit “PAL” dhe ishin bardhë e zi, gjersa në vitin 1981 do të nisin në një përqindje të ulët transmetimet me ngjyra.
Në veprimtarinë e tij, Radiotelevizioni shqiptar synonte të ruante marrëdhënie bashkëpunimi me si vëllezërit e disa vendeve, siç ishin: Turqia, Algjeria, Greqia, Italia, Franca, Suedia, Irani, Egjipti, Siria etj.
Burimi: Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave