Rrëzohet projekt-rezoluta e SHBA për Gazan, Rusia dhe Kina vendosën veton në Këshillin e Sigurimit

Botë | 3 vite më parë

Rusia dhe Kina, dy anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara vendosën veton ndaj një rezolute të propozuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që bënte thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në Gaza, lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi dhe rritjen e fluksit të ndihmave humanitare në Gaza. Në mbledhjen e Këshillit e Sigurimit propozimi amerikan mori 11 vota pro, 3 kundër dhe një abstenim. Përfaqësuesja e Shteteve të Bashkura në OKB Linda Tomas-Grinfilld tha pas dështimit të votimit se Rusia edhe një herë vendosi politikën mbi progresin. “Rusia dhe Kina nuk votuan pro rezolutës së propozuar nga Shtetet e Bashkuara, sepse donin të shihnin SHBA-të të dështonin.” – u shpreh ajo. 
Mbretëria e Bashkuar u shpreh thellësisht e zhgënjyer nga vetoja e Rusisë dhe Kinës. Përfaqësuesja britanike në Këshillin e Sigurimit tha se vendi i saj do të bëjë gjithçka, që Gaza të marrë ndihmat e nevojshme, por theksoi se duhet të ndërpriten menjëherë luftimet në atë rajon. 
Ndërkohë presidenti francez Emanuel Makro njoftoi se vendi i tij do të punojë për një rezolutë të re të OKB-së që bën thirrje për armëpushim në Gaza. “Këshilli i Sigurimit duhet të vendosë tani për një armëpushim të menjëhershëm dhe akses humanitar.” – u shpreh ai. 
Ndërsa ambasadori i Rusisë në Këshillin e Sigurimit Vasili Nebenzja e bëri të qartë kundërshtimin e Moskës ndaj projekt-rezolutës amerikane që para votimit. Ai akuzoi Shtetet e Bashkuara se nuk po bëjnë asgjë për të frenuar Izraelin në Gaza. Me fjalë ironike Nebezja tha se Uashingtoni po fliste për një armëpushim, pasi Gaza praktisht është zhdukur.

Gazetare Vjollca Zharri

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme