Rriten pritshmëritë për turizmin veror, parashikohet dyfishim i vizitorëve deri në vitin 2040

Ekonomi | 1 vit më parë

Edhe pse numri i turistëve në muajin mars ka shënuar një rënie të ndjeshme sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, perspektiva për sezonin veror mbetet optimiste.

Kryetari i Shoqatës së Turizmit dhe Hotelerisë, Zak Topuzi, thekson se kjo rënie lidhet kryesisht me dinamikat e fushatës zgjedhore dhe nuk përfaqëson prirjen afatgjatë të sektorit.

“Ka pasur një rënie diku te 2,5 për qind për këtë periudhë, por mendojmë se efekti kryesor është efekti i zgjedhjeve. Në çdo vend ku ka zgjedhje ka një tërheqje të njerëzve. Treguesit e tremujorit janë gati 360 mijë shqiptarë më shumë që kanë dalë jashtë sesa të huaj të ardhur. Ky është efekti i liberalizimit të fluturimeve dhe uljes së çmimit në Aeroportin e Rinasit,” tregon z. Topuzi.

Sipas Topuzit, Shqipëria është në prag të një bum turistik.

Nga viti 2025 deri në vitin 2040 parashikohet një dyfishim i numrit të turistëve në vend, duke theksuar rëndësinë e shtimit të kapaciteteve akomoduese për të përballuar fluksin në rritje.

“Europa është pjesa më e rëndësishme e turizmit. Pavarësisht se ka vetëm 7–8 për qind të sipërfaqes së globit, ajo përpunon 53 për qind të gjithë turistëve të botës. Ky është tregues shumë i rëndësishëm dhe ka tre nga vendet me numrin më të madh të turistëve në botë, duke filluar nga Franca, Spanja, Italia. Mesdheu është qendra e turizmit dhe ne kemi shansin që të jemi në zonat e preferuara,” thotë kryetari i Shoqatës së Turizmit dhe Hotelerisë.

Ndërkohë, të dhënat e INSTAT-it tregojnë se gjatë tremujorit të parë të vitit 2025, në transportin ajror kanë operuar 19 shoqëri ajrore, 18 prej të cilave të huaja dhe vetëm një shoqëri shqiptare. 

Kjo pasqyron interesin e lartë ndërkombëtar për tregun shqiptar dhe potencialin në rritje të turizmit ajror.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme