Rriten tensionet në Lindjen e Mesme

Izraeli paralajmëroi të shtunën Iranin se do të përballet me pasojat nëse përpiqet të përshkallëzojë tensionet në Lindjen e Mesme. Kështu u shpreh zëdhënësi i ushtrisë izraelite Daniel Hagari. Ai bëri me dije se vendi i tij ka rritur nivelin e gatishmërisë për t’u mbrojtur nga agresioni i pritshëm iranian.
Ndërkohë Irani thotë se Izraeli është në panik të plotë lidhur me përgjigjen e këtij vendi pas sulmit në Siri. “Izraeli nuk e di se çfarë do të bëjmë. Ky shtet dhe aelatët e tij janë të tmerruar nga përgjigjja hakmarrëse iraniane”- u shpreh një këshilltar i udhëheqësit suprem të Iranit. Ai shtoi se lufta psikologjike, mediatike dhe politike është më e tmershme se sa vetë sulmi që pret çdo natë Izraeli.
Ndërsa tensionet në rajon rriten, Garda Revolucionare e Iranit njoftoi të shtunën se sekuestroi një anije kontejenerësh pranë ngushticës së Hormuzit, që sipas saj i përkiste një biznesmeni izraelit. Sipas kompanive të sigurisë detare, anija me 25 anëtarë në bord u kap në brigjet e Emirateve të Bashkuara Arabe nga autoritetet iraniane.
Teherani akuzon Izraelin dhe është zotuar të hakmerret për sulmin ajror të 1 prillit në Damask, i cili shkatërroi konsullatën e Iranit dhe i mori jetën 13 personave. Mes tyre ishin 7 anëtarë të Gardës Revolucionare të Iranit përfshirë edhe dy gjeneralë.
/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




