Rritet në 7.703 numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza

Numri i viktimave palestineze nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës që kanë vazhduar që nga 7 tetori është rritur në 7.703, njoftoi sot Ministria e Shëndetësisë në Gaza, njofton Anadolu Ajansi.
“Në mesin e të vrarëve janë 3.595 fëmijë ndërsa 19.734 qytetarë janë plagosur që nga fillimi i sulmeve izraelite”, bëhet e ditur në njoftimin e ministrisë.
Ministria tha gjithashtu se Izraeli “ka kryer 53 masakra” në bombardimet e dhunshme të Rripit të Gazës gjatë natës.
Ushtria izraelite zgjeroi operacionet ajrore dhe tokësore të premten pasi ndërpreu internetin dhe komunikimet. Agjencitë ndërkombëtare të ndihmës thanë se kishin humbur kontaktet me stafin dhe kolegët e tyre në Gaza.
Për shkak të sulmeve intensive izraelite në Rripin e bllokuar të Gazës, shërbimet e komunikimit fiks, celular dhe internet në rajon janë ndërprerë plotësisht.
Ushtria izraelite ka njoftuar se ka shtuar sulmet ajrore dhe do të zgjerojë operacionet tokësore.
Spitali “Al-Shifa”, objekti më i madh shëndetësor në Gaza me mijëra të plagosur dhe civilë, ishte gjithashtu në shënjestër të ushtrisë izraelite.
Rreth 2.3 milionë banorë të Gazës po luftojnë me mungesën e ushqimit, ujit dhe ilaçeve për shkak të bombardimeve masive ajrore izraelite dhe një bllokadë të plotë të enklavës.
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara (AP-OKB) miratoi mbrëmë një rezolutë që bën thirrje për armëpushim urgjent humanitar në Gaza.
Sipas Anadolu Ajansi
/ rtsh /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




