Rritja e çmimeve, ministri Malaj: Analizë e marzheve në zinxhirin e formimit të çmimeve dhe ndikimi i zhvlerësimit të euros

Ekonomi | 1 orë më parë

Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka deklaruar se Ministria e Financave po kryen një analizë të zinxhirit të formimit të çmimeve, me fokus te marzhet që aplikohen nga prodhimi deri te konsumatori i fundit.

Gjatë takimit me përfaqësues të supermarketeve dhe furnitorëve kryesorë në vend, Malaj tha se qëllimi është të identifikohen sektorët dhe hallkat ku krijohen marzhet, si dhe të vlerësohet nëse ato janë në përputhje me realitetin e tregut apo nëse ka raste ku mund të konsiderohen abuzive.

“Nga ana e Ministrisë së Financave po kryhet një ushtrim ku ne duam të kuptojmë se cilat janë marzhet që aplikohen në zinxhirin e formimit të çmimit, që nga prodhimi deri te konsumatori i fundit. Duam të kuptojmë cilat janë marzhet dhe që janë marzhe ku ne mund të ndërhyjmë me politikat fiskale që të lehtësojmë barrën për konsumatorin e fundit”, u shpreh Malaj.

Ministri theksoi se analiza do të shërbejë për të krijuar një panoramë më të qartë të mënyrës se si formohet çmimi dhe për të përcaktuar se ku mund të ndërhyhen me politika fiskale.

“Duam të kuptojmë kush janë sektorët që formojnë zinxhirin e çmimit dhe cilat janë marzhet që aplikojnë, nëse janë abuzuese apo i përgjigjen realitetit të tregut”, tha ai.

Malaj u ndal edhe te zhvlerësimi i euros dhe ndikimi i tij në çmimet e produkteve. Sipas tij, rënia e vlerës së euros ka sjellë edhe ulje të të ardhurave në buxhetin e shtetit nga importet.

“Të ardhurat në buxhet nga importi i produkteve vijnë në rënie për shkak se euro është zhvlerësuar. Në buxhetin e shtetit për 7-mujorin e parë kemi një mungesë rreth 50 mln euro që presupozohet që kjo vlerë të përkthehej në çmime më të ulëta. Kjo nuk ka ndodhur”, deklaroi ministri.

Sipas Malajt, fakti që zhvlerësimi i euros nuk është reflektuar në të njëjtën masë në çmimet për konsumatorët kërkon një analizë më të detajuar të mënyrës së formimit të tyre.

“Ne duhet të dimë se çfarë politikash fiskale duhet të ndërmarrim që t’ua lehtësojmë konsumatorëve barrën e çmimeve të rritura”, përfundoi Malaj.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme