Rritja e pagave të gjyqtarëve të Kushtetueses, Manja: Janë niveli më i lartë i ekspertizës. Xhafaj: Vendoset hierarkia

Politikë | 2 vite më parë

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka paraqitur ndryshimet që duhen bërë në ligj për rritjen e pagave të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Nga foltorja e Kuvendit, Manja tha se kjo gjykatë është instanca më e lartë e drejtësisë ku garanton respektimin e Kushtetutës së vendit dhe se gjyqtarët e kësaj gjykate përfaqësojnë nivelin më të lartë të ekspertizës.

Ministri tha se përtej rritjes së rrogave, do të ketë edhe një shtesë prej 58 % të pagës për shkak të natyrës së veçantë të punës.

“Gjykata Kushtuese ka dhënë vendime që askush nuk i ka diskutuar në momente shumë të rëndësishme për interesin kombëtar dhe juve ju djeg kjo pjesë se e mbani mend kohë më parë vendimin që dha ajo në lidhje me çështjen e detit. Sot fal atij vendimi dhe shumë vendimeve të tjera me interes për vendin e ka rritur reputacionin kjo gjykate. Lëvizjet e fundit të ndërmarra nga qeveria dhe kuvendi në fushën e  pagave në sektorin publik synojnë kthimin e normalitet dhe parimit piramidal të sistemit të pagave. Arsyet pse kërkojmë këto ndryshime është se kjo gjykatë ka juridiksion përthithës në instancë të fundit në këtë këndvështrim çdo vështirësi që haset përbëjnë shkak që të përcaktojmë një nivel të ri të pagave të këtyre funksionarëve të drejtësisë. Gjyqtarët e Kushtetueses përfaqësojnë nivelin më të lartë të ekspertizë dhe vendimet  e kësaj gjykate afektojnë jetën politike-shoqërore të vendit. Kemi parashikuar përveç pagës mujore të përfitojë edhe një shtesë në masën 58% të pagës për shkak të natyrës së veçantë të punës. Këto synojnë të rrisin pagat e gjyqtarit të Kushtueses dhe të mos cenojnë të drejtat e tyre të fituara”, tha Manja.

Edhe deputeti socialist Fatmir Xhafaj u shpreh pro rritjes së pagave të gjyqtarëve të Kushtetueses, pasi sipas tij në këtë mënyrë vendoset hierarkia dhe vlerësohet puna e drejtësisë.

“Sot pagat e gjyqtarëve janë rritur ndjeshëm dhe të krahasueshme në nivel rajonal por larg mesatares evropiane. Gjykoj se nuk ka qenë aspak lajthitje ajo që kemi bërë me reformën dhe rritjen e pagave për  drejtësinë. Rezultatet në drejtësinë e re janë dëshmi e saj. Jam dakord për rritjen  pagës për funksion të gjyqtarëve. Përpjekja për të futur në këtë rol Kushtetuesen do ishte një kthim pas për shtetin e së drejtës. Kjo bëhet për të rivendosur hierarkinë e pagave. Gjykatat Kushtetuese ndër vite ka treguar qëndrueshmëri dhe profesionalizëm”, tha Xhafaj.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme