RTSH hap dyert për diasporën/ Mësojnë shqip në Greqi, nxënësit njihen me Televizionin Publik Shqiptar

Sociale | 3 vite më parë

Radio Televizioni Shqiptar mirëpriti në ambientet e tij nxënësit e shkollës verore të diasporës me bazë në Greqi.

Nxënësit u shprehën se me historinë, identitetin, kulturën dhe zhvillimet këtu në Shqipëri, njihen nëpërmjet kronikave të transmetuara në edicionet informative në RTSH dhe larmishmërinë e emisioneve që televizioni publik ka në përbërje.

Rast i ngjashëm ishte i Lionel Nurajt. Ai luan basketboll për një ekip grek të moshave, e teksa ndodhej në studion e sportit, premtoi se kur të bëhet i njohur, intervistën e parë ekskluzive do e japë pikërisht nga aty.

Lioneli tregoi se si lindi ideja për të mësuar shqip. E gjitha nisi me letrat që i dërgonte gjyshi që jeton në Shqipëri, përmbajtjen e së cilës nuk I njihte. Kështu, vendosi të mësonte shqip.

” Kam bërë një premtim që pasi të kem mësuar aq sa duhet të bëjë një letër për gjyshin” thotë Lioneli

Përjetime të ngjashme kishin edhe nxënësit e tjerë, të cilët shprehen krenarë që janë shqiptarë.

” Gjuha e parë që kam mësuar ka qenë shqipja, sepse prindit thonin se greqishten do ta mësoj në shkollë. Është gjuha e nënës duhet ta mësojmë” thotë një nga nxënëset.

Mësuesit e shkollës verore rrëfejnë se ofrojnë këtë kurs veror në mënyrë vullnetare, me qëllimin primar, mësimin e një gjuhe shqipe të pastër, pa huazime, të nxënësve që kanë lindur jashtë vendit.

Drejtoresha e Qendrës së Botimit konfirmon se interesi për të mësuar gjuhën shqipe ka ardhur në rritje, jo vetëm nga ata me origjinë shqiptare, por edhe nga të huajt.

”Mundohemi që fëmijët ti mësojmë me gjuhën dhe traditat e Shqipërisë në mënyrë që ta ruajnë të pastër” thotë mësuesi.

Sipas drejtuesve këto kurse verore synojnë të promovojnë e ruajnë gjuhën shqipe, si pjesë e identitetit kulturor në diasporë.

Gazetar: Marjo Merhori

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme