RTSH vazhdon transmetimin maratonë për zgjedhjet e 11 majit
Radio Televizioni Shqiptar vazhdon transmetimin maratonë disaditor prej orës 7:00 të mëngjesit për të mbuluar procesin zgjedhor parlamentar në Shqipëri.
Për të siguruar një pasqyrim të plotë të procesit zgjedhor dhe për t’i ofruar publikut çdo detaj nga qendrat e votimit, RTSH angazhoi mbi 200 gazetarë dhe operatorë.
Maratona zgjedhore është moderuar nga gazetarët e mirënjohur Alban Dudushi dhe Nolian Lole, ku nëpërmjet analizave është pasqyruar ecuria e procesit të votimit dhe numërimit, monitorimi i tij nga ndërkombëtarët, mesazhet e politikanëve gjatë votimit, si dhe problematikat e ndodhura nga qendrat e votimit.
Transmetimi, i cili ka përfshirë analiza me të ftuar në studio dhe lidhje direkte nga terreni, i ka ofruar publikut një panoramë të besueshme për çdo zhvillim zgjedhor që prek jetën politike të vendit.

Zhvillimet minutë pas minute
17:00 | PS siguron fitoren në Kombinat, Gonxhja: Kemi rritje krahasuar me 2021
Partia Socialiste ka dalë fituese në zonën e Kombinatit në zgjedhjet e 11 majit, duke shënuar një rritje të lehtë krahasuar me rezultatin e vitit 2021. Lajmin e konfirmoi drejtuesi politik i PS për këtë zonë, Blendi Gonxhja, i cili u shpreh se PS ka arritur të sigurojë 54.5% të votave, nga 53.5% që kishte në zgjedhjet e mëparshme.
“Rikonfimohet se njësia bashkiake me rezultatin më të mirë brenda të gjitha njësive bashkiake me popullsinë më të madhe brenda vijës së verdhë. Sot është një moment i gëzuar për ne për të njohur fitoren e PS në Kombinat pasi nuk është një nga zonat më të lehta se ka pasur problematika lidhur me rindërtimin. Jemi edhe më mirë se në 2021, jemi 54.5 % këto zgjedhje krahasuar me 53.5% në 2021”, tha Gonxhja
15:45 | “Shqipëria Bëhet” lufton për mandatin e dytë, Lapaj: Nëse partitë e reja do bashkoheshin, do merrnim 13 mandate

Koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” po lufton për mandatin e dytë, që shpreson ta marrë atë përmes votave në qarkun e Fierit.
Në një intervistë për RTSH 24, Adriatik Lapaj u shpreh se gara është e ngushtë për këtë mandat mes koalicionit të tij dhe Partisë Socialiste, ku sipas tij po pret që diferencë ta bëjë vota e diasporës.
“Po luftojmë për të gjitha votat në respekt të qytetarëve. Këtu në Fier po diskutohet për një mandat tjetër, mes nesh dhe PS dhe do të shohim deri në fund edhe me votën e diasporës. Jam i bindur që do e marrim këtë mandat por do presim deri në fund dhe do zbatojnë vullnetin e qytetarëve”, tha Lapaj.
Lapaj tha se nëse partitë e reja do të bashkoheshin, do të mund të merreni 13 mandatet, që do të bënin diferencën e parlament.
12:19 | Votat e diasporës, Balla për RTSH: Rezultati mund të ishte më i mirë. Numëruesit e PD kryen vepër penale
Ndërsa janë numëruar vetëm 43.528 zarfe nga 194.889 që janë në total nga votat e diasporës në 85 shtete të botës, Partia Socialiste ka mundur të sigurojë 23.593 vota të emigrantëve shqiptarë, ndërsa Koalicioni PD-ASHM ka marrë 12.362 vota. Në këto kushte, drejtuesi politik i PS-së për diasporën, Taulant Balla në një lidhje të drejtpërdrejtë me RTSH deklaroi se pritshmëritë e tij për rezultatin e deritanishëm nga diaspora, ishin më të larta.
“Numërimi për subjektet politike, nëse ecim me këto ritme, unë them se do ecim me ritme me të shpejta në 2-3 ditët e ardhshme përfundon. Rezultati të them të drejtën mund të ishte më mirë”, deklaroi Balla.
Ky i fundit u ndal dhe te vendimi i KQ për numërimin e veçantë të votave të diasporës nga Greqia. Balla shprehet se numëruesit e PD-së nuk iu bindën urdhrave politikë të partisë, dhe se këto shkelje, thekson ai, përbëjnë vepër penale.

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





