Sainz, më i shpejti në provat e lira

Formula 1 | 3 vite më parë

Karlos Sainz e ka ngjitur “Ferrari”-n në krye të renditjes së kohëve të vete në pistën e shtëpisë, teksa ai spikati të premten pasdite në seancën e dytë të provave të lira,  të Çmimit të Madh të Italisë, në Monza, duke lënë prapa “MekLaren”-in e Lando Norrisit dhe “Red Bull”-in e Serxhio Perezit, i cili pati një aksident në fund të asaj seance. Teksa programi i “Kuotës Alternative të Gomave” do të gjejë zbatim për herë të dytë këtë sezon, dy seancat e së premtes ishin një tjetër pasdite e ngjeshur në të ashtuquajturin “Tempullin e Shpejtësisë”, teksa pilotët, por edhe skuadrat, grumbulluan të dhëna të vlefshme mbi gomat e buta, të mesme dhe të forta, që janë në fakt edhe të kategorisë më të butë të gomave që përdor Formula 1.

Seanca e dytë ishte e mbushur me aksidente, sidomos ai i Perezit, që po nxitonte të regjistronte një kohë të mirë, por doli nga pista në kthesën e famshme “Parabolika” dhe goditi muret rrethuese. Para tij edhe Lens Stroll, i cili sapo kishte marrë në dorë timonin e “Aston Martin”-it të tij nga piloti rezervë, Felipe Drugoviç, i cili e pati testuar makinën në seancën e parë të  provave të ri, u detyrua të ndalej për shkak të një avarie në sistemin e karburantit.

Nga e gjithë kjo rrëmujë e pësoi Maks Verstapeni, i cili ishte më i shpejti në seancën e parë, por u ankua për trafik gjatë së dytës dhe nuk shkoi dot më larg se vendi i 5-të, 276 të mijëtat e sekondës prapa Karlos Sainzit, i cili regjistroi kohën 1 minutë, 21 sekonda e 355 të mijëtat, vetëm 19 të mijëtat më shpejt sesa Norris.

Si provat zyrtare të shtunës, që nisin në ora 16:00 dhe do të vijnë drejtpërdrejt në RTSH Sport, ashtu edhe gara e së dielës në Çmimin e Madh të Italisë np Monza, që nis në ora 15:00, do të vijë drejtpërdrejt në RTSH 1.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme