Salianji: Kuvendi po mban të fshehur dokumentacionin që ka dërguar SPAK për Bllakon

Deputeti demokrat Ervin Salianji, ka lëshuar sot akuza në adresë të Kuvendit, lidhur me dosjen “Bllako”. Zoti Salianji thotë se Kuvendi nuk u ka vënë anëtarëve të Këshillit të Rregullores dhe Mandateve dokumentacionin e që SPAK ka dërguar për deputetin e PS, Alqi Bllako. Sipas tij, Kuvendi njoftoi ditën e djeshme se dokumentacioni është gati dhe mund të tërhiqet, por, sipas tij, “një gjë e tillë nuk ka ndodhur”.
Reagimi i plotë
Dje, rreth orës 18:35, në postën elektronike të anëtarëve të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin ka mbërritur një email nga sekretaria e Kuvendit, ku njoftohen për mbledhjen e ditës së nesërme në orën 18:00 për shqyrtimin e kërkesës së SPAK. Në email thuhet se dokumentacioni shoqërues i kërkesës është gati dhe mund të tërhiqet pranë sekretarisë ditën e nesërme.
Por, e vërteta është se as ditën e nesërme në mëngjes dhe deri më tani, kur na ndajnë më pak se katër orë nga fillimi i mbledhjes së Këshillit, materialet nuk na janë vënë në dispozicion. Kjo në kundërshtim flagrant me Rregulloren e Kuvendit, e cila në nenin 118, pika 1 parashikon se kryetarja e Kuvendit ia dërgon kërkesën dhe dokumentacionin përkatës menjëherë anëtarëve të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.
Askush nuk e di se cila është arsyeja apo arsyet që Kuvendi i Shqipërisë iu mban të fshehur anëtarëve të Këshillit, dokumentacionin e dërguar me SPAK. Por, ajo që ne dimë me siguri është se sot pushteti dhe veglat e tij janë në hall, dhe mbi të gjitha se ajo që po bëjnë është një tjetër shkelje flagrante e ligjit. Halli i qeverisë nuk janë zyrtarucët që i ka përdorur dhe më pas i ka lëshuar, halli i tyre është koka e grupit!
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




