Samiti i Diasporës, Balla: Regjistrim i banesës për çdo qytetar shqiptar që jeton jashtë Shqipërisë

Politikë | 3 vite më parë

 

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla  në fjalën e tij në  Samitin e III të Diasporës,deklaroi se, është hedhur për konsultim një ndryshim ligjor për deklarimin e adresës për shqiptarët që jetojnë jashtë.

Në fjalën e tij në Panelin “Politika e Jashtme dhe Diaspora” mbi regjistrimin e bashkë-atdhetarëve që jetojnë jashtë, Balla theksoi se,  “Regjistri i Gjendjes Civile në 1 nëntor 2023 numëron 4,607,338 shtetas shqiptarë. Natyrisht jemi të qartë, ata nuk jetojnë të gjithë në Shqipëri. Censusi i këtij viti do të na japë një të dhënë më shumë. Por a mjafton ajo? Them se jo”.

“Shqipëria ka emigrantë, po nuk dimë saktë sa. Aq më pak dimë, ku janë. Ajo që na duhet të dimë është sa shqiptarë jetojnë këtu apo aty, dhe saktësisht ku. Arsyet përse, janë legjitime, por së pari t’u shlyejmë një pjesë të borxhit që atdheu ka ndaj tyre. Gjithashtu na duhet të dimë ku janë, që tu ofrojmë shërbime. Kanë mbi tre dekada që kanë ndërtuar jetën e tyre, të ardhmen aty. E besoj se shteti ka detyrë, madje jemi shumë të vonuar, të garantojë shërbime për qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë, në shtëpinë e tyre”, tha Balla.

Ministri i Brendshëm u shpreh se, është hedhur për konsultim një ndryshim ligjor për deklarimin e adresës për shqiptarët që jetojnë jashtë.

Ndaj tha ai, “na duhet ta bëjmë regjistrimin e banesës për çdo qytetar shqiptar që jeton jashtë Shqipërisë, pasi mendojmë se kjo do jetë ura jonë e komunikimit. Shteti shqiptar komunikon me shtetasit e tij jashtë Shqipërisë për t’i dhënë çdokujt që jeton jashtë, shërbimin aty ku banon”.

 “E vërteta është se shërbimi për vetëdeklarimin e adresës ka qenë funksional, që prej dhjetorit 2020. Kryefamiljari mund të aplikonte për gjithë familjen. Por, sa për t’ju dhënë një ide, aktualisht janë rreth 13 mijë shtetas shqiptarë që kanë regjistruar adresën jashtë vendit. Pjesa më e madhe në vitin 2021, e më tej numrat janë në rënie”, theksoi Balla.

Për të ndryshuar këtë realitet, u shpreh ministri, “gjatë këtij viti janë kryer përmirësime të ndjeshme lidhur me mënyrën e ofrimit të shërbimeve online, konkretisht lidhur me ofrimin e shërbimit të deklarimit të adresës jashtë vendit. Aktualisht mundësohet ndërveprimi në kohë reale i shtetasit dhe shërbimit të gjendjes civile, një shërbim pranë Ministrisë së Brendshme”.

Sipas tij, “në momentin e aplikimit përmes e-Albania, që kushdo e bën nga një telefon apo kompjuter aty ku gjendet pa asnjë kosto, shtetasi pajisjet me një numër gjurmimi dhe nëpërmjet këtij numri, kontrollon statusin e aplikimit. Në profilin në portalin e-Albania, qytetari lexon mesazhet lidhur me aplikimin. Sipas rastit, sistemi i gjendjes civile, e njofton lidhur me regjistrimin e suksesshëm të adresës së deklaruar, apo në rastin e kundërt, nëpunësi i gjendjes civile dërgon mesazh refuzimi, me arsyet përkatëse”.

“Ajo që u kuptua në këto 3 vite, është se për të rritur numrin e aplikimeve online për deklarimin e adresës jashtë vendit, duhen gjetur mekanizmat e nevojshëm për nxitjen e motrave e vëllezërve tanë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, të deklarojnë adresën”, tha Balla.

Ministri nënvizoi se përmes nismës së fundit është propozuar shtimi i numrit të shërbimeve, për këtë kategori qytetarësh në adresën e tyre jashtë vendit. Përjashtimi i tyre nga taksat vendore. Përjashtimin nga çdo taksë tjetër që caktohet për shërbime specifike që përfiton shtetasi, nga vendqëndrimi në territorin e Republikës së Shqipërisë. Identifikimin e shërbimeve të institucioneve të tjera, ku shtetasit mund ti përfitojnë në adresën e deklaruar jashtë vendit.

Balla theksoi se,”përfitimet janë të shumta.

“Së pari vetë emigrantët marrin pas shërbimet nga shteti i tyre aty ku banojnë.  Përfitimi i shtetit, i shoqërisë, është se në fund të këtij procesi, nga njëra anë nëpërmjet Popullimit të Adresarit, jo vetëm brenda vendit por edhe jashtë, do të kemi atë që na duhet së tepërmi e na mungon prej 3 dekadash, llogarinë themelore të shtetit shqiptar. Hedhim kështu më në fund dritë, në një hapësirë të mbetur bosh”, nënvizoi ai.

“Le të vazhdojmë të punojmë së bashku dorë për dorë, duke kapërcyer distancat dhe duke forcuar unitetin, që na përcakton si shqiptarë. Pjesëmarrja juaj në procesin e deklarimit të adresës nuk është thjesht një formalitet burokratik, është akti për lidhjen tuaj të qëndrueshme me Shqipërinë”, përfundoi ministri Balla.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme