Samiti i G7/ Dita e fundit, udhëheqësit e BE-së të bashkuar për paqen në Ukrainë

Botë | 4 muaj më parë

Lufta në Ukrainë vijon të mbetet temë kryesore e samitit të G7 ku liderët e ekonomive më të zhvilluara të botës po diskutojnë rreth mbështetjes ushtarake dhe financiare për Kievin, por edhe për shtimin e presionit ndaj Rusisë.

Në qendër të bisedimeve janë garancitë afatgjata për Ukrainën, dhe burime diplomatike bëjnë me dije se forcimi i sanksioneve ndaj Moskës dhe koordinimi i ndihmës për rindërtimin e vendit pas luftës do të jenë temë e diskutimeve të ditës së fundit të samitit të G7 që po mbahet në Evian të Francës, një ditë e fundit kjo ku mbetet e hapur edhe mundësia e një takimi mes presidentit ukrainas Zelenski dhe atij të SHBA-ve Trump.

Vetë kreu i Shtëpisë së Bardhë raportoi se ka zhvilluar një takim me Vladimir Putin, konkretisht për konfliktin në Ukrainë, ku ka theksuar nevojën për të arritur një marrëveshje dhe duke u zotuar për angazhimin e tij për të promovuar një zgjidhje të negociuar. Ndërkohë, mes sinjaleve për zgjidhje të konfliktit, një incident detar ndodhi në Kanalin Anglez duke rikthyer në vëmendje tensionet mes Rusisë dhe vendeve perëndimore.

Mediat britanike që i referohen autoriteteve të Londrës dhe Moskës raportuan se një fregatë ruse hapi zjarr paralajmërues pranë një jahti britanik pasi ekuipazhi i tij nuk iu përgjigj thirrjeve në radio dhe po ndiqte një trajektore e cila konsiderohej e rrezikshme. Nga incidenti, nuk raportohet për të lënduar apo dëme materiale, ndërsa autoritetet britanike e cilësuan episodin si një ngjarje të izoluar.

Megjithatë, incidenti vjen në një moment kur marrëdhëniet mes Rusisë dhe Perëndimit vijojnë të mbeten të tensionuara për shkak të luftës në Ukrainë, dhe në pritje të vendimeve të samitit të G7, zhvillime këto që tregojnë se pasojat e konfliktit ukrainas vazhdojnë të ndihen edhe përtej vijës së frontit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme