Samiti me Ukrainën, Berisha tregon arsyet pse Mitsotakis nuk erdhi në Shqipëri

Ish-kryeministri Sali Berisha ka treguar arsyet se pse kryeministri grek Mitsotakis nuk mori pjesë në samitin për Ukrainën në Tiranë.
Sipas Berishës, kreu i qeverisë greke nuk erdhi në samitin e Tiranës pasi “Shqipëria nuk respekton vlerat bazë”.
“Kryeministri i Greqisë nuk erdhi. Bojkotoi takimin. Po pse e bojkotoi? Sepse Shqipëria sot është një shtet që shkelmon parimet më universale të lirisë njerëzore. Që nuk pranon prezumimin e pafajësisë. Që diskriminon me etni! Që nuk respekton vlerat bazë. Edi Rama përsëri sot me farsën e tij të turpshme shtyu procesin vetëm e vetëm për t’i marrë mandatin qeveritarit të zgjedhur.
Edi Rama, njëlloj si Putini, njëlloj si Lukashenko, si Ajatollahët, mban të arrestuar kryetarin e partisë më të madhe opozitare. Sepse e di se nuk ka të ardhme. E di se zgjedhje nuk grabit më kurrë, se nuk ka fituar ndonjëherë”, është shprehur Berisha gjatë fjalës së tij në protestën e demokratëve poshtë shtëpisë së tij.
Berisha tha se kryeministri Rama nuk mund të ndalojë rotacionin ndërsa theksoi se “do marrë ndëshkimin që meriton si armik i egër i votës së lirë të shqiptarëve”
“Si njeriu që solli në rajon destabilizim. U angazhua në plane antishqiptare. Si njeriu që nuk njeh asnjë parim.
Jo zotërinj, ata që u thonë ju se Edi Rama nuk është armiku më i madh i votës, u bëni një pyetje të thjeshtë secili çdo socialisti: na thoni pak kur ka marrë votën e fundit nga ju ky njeri në partinë e tij?
Nuk votohet më. Si në asnjë parti tjetër në Europë dhe në botë. Ndaj dhe ju ftoj të vazhdojmë me guxim këtë betejë pa kthim”, u shpreh Berisha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




