Sarandë – Shtetasit nga Filipinet dhe Hungaria të punësuar në turizëm

Ekonomi | 1 vit më parë

Të huaj që nuk vijnë për turizëm në Sarandë, por për t’u shërbyer turistëve, është dukuria e kësaj vere.

Këtë qershor, ky është një realitet i prekshëm në shumicën e bareve e restoranteve që operojnë në vijën e parë, mbi shëtitoren e Sarandës, por edhe më në brendësi.

Ajo që të bie e para në sy është përgjithësisht mosha e re e të huajve të punësuar në qytetin bregdetar, ku  dominojnë të ardhurit nga Filipinet, vajza dhe djem fare të rinj.

“Jam ndihmëskuzhinier. Më pëlqen puna dhe njerëzit. Kam një javë që kam nisur punën në këtë restorant.“

“Punoj këtu si ndihmësbanakier. E dashuroj punën që bëj këtu në Sarandë. Vetëm pak ditë kam që kam ardhur nga Filipinet.“

E veçantë ishte një vajzë e re nga Budapesti, e punësuar si bariste në një prej lokaleve më të frekuentuara buzë detit të Sarandës. Në tërësi, të rinjtë e huaj që takuam na thanë se ardhjen për t’u punësuar në shërbime turistike në Sarandë e kishin realizuar përmes agjencive të ndryshme në vendet nga vijnë.

“Jam prej pesë muajsh këtu në Shqipëri. Kam bërë kontratë njëvjeçare dhe shpresoj ta shtyj edhe një vit tjetër. Më pëlqen shumë të qëndroj këtu. Një vend me shumë turistë dhe njerëz të mirë. Agjencia më sugjeroi që është një vend i mirë dhe ia vlen të punosh,” thotë një kamariere e ardhur nga Filipinet.

Këtë, që tani është realitet i prekshëm me përfshirje të shtetasve të huaj në turizmin e Sarandës, e paralajmëruan kohë më parë institucionet lokale të specializuara për punësimin, si një zgjidhje alternative për të mbuluar mungesën dhe nevojën për staf në shumicën e strukturave të shërbimit në Sarandë e Ksamil.

Deri në muajin prill, aplikuan dhe u pranuan 800 shtetas të huaj për t’u punësuar në këtë treg.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme