Sekuestrohet 11 kg drogë në Krujë, në pranga babë e bir, thanin bimën narkotike

Aktualitet | 3 vite më parë

Dy persona, babë e bir me njeri-tjetrin janë vënë në pranga si autorë të kultivimit të lëndës narkotike në fshatin Kroi i Madh.

Sipas njoftimit të policisë, dy shtetasit kishin përshtatur edhe një ambient pranë banesës së tyre, për tharjen e bimëve narkotike.

Në pranga ranë N. K., 43 vjeç dhe B. K., 22 vjeç (babë e bir), të dy banues në fshatin Kroi i Madh, Krujë.  

Policia bën me dije se 2 shtetasit e arrestuar, janë autorë të kultivimit të rreth 320 bimëve narkotike, të gjetura 3 javët e fundit, në fshatin Kroi i Madh.

“Këta 2 shtetas kishin përshtatur një ambient në afërsi të banesës së tyre, në fshatin Kroi i Madh, për përpunimin (tharjen) e bimëve narkotike. Gjatë kontrollit në këtë ambient, shërbimet e Policisë gjetën rreth 11 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis dhe disa bimë në proces tharje, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me 2 celularë. 

Nga verifikimet e kryera dyshohet se 2 të arrestuarit janë autorë edhe të kultivimit të rreth 320 bimëve narkotike, të gjetura gjatë kontrolleve të ushtruara nga Policia, gjatë 3 javëve të fundit, në fshatin Kroi i Madh”, thuhet në njoftimin e policisë.  

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

/rtsh.al/  


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme