Sezon turistik i sigurt, hapen 36 qendra shëndetësore verore në të gjithë

Aktualitet | 1 vit më parë

Me nisjen e sezonit turistik veror, janë hapur 36 qendra shëndetësore verore në të gjithë vendin, të cilat do të jenë në shërbim të pushuesve vendas dhe turistëve të huaj deri më 30 shtator.

Qendrat janë të pajisura me aparatura moderne, sinjalistikë të qartë dhe staf mjekësor të specializuar, i cili do të ofrojë shërbime mjekësore 24 orë në ditë, 7 ditë në javë. Në dispozicion të këtyre qendrave do të jenë gjithsej 227 mjekë dhe infermierë, të përgatitur për të ofruar ndihmën e parë dhe trajtime të shpejta në rast emergjencash.

Kryeministri Edi Rama njoftoi hapjen e këtyre qendrave në një postim në rrjete sociale, ku uroi qytetarët për një sezon të sigurt dhe të qetë.

“Në nisje të sezonit veror, janë hapur 36 qendra shëndetësore verore në të gjithë vendin – të kompletuara me pajisje, sinjalistikë dhe staf mjekësor të specializuar, të cilët do të jenë në shërbim të qytetarëve 24/7 – ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama

Përveç qendrave shëndetësore, Urgjenca Kombëtare do të vendosë në dispozicion të pushuesve 20 vendqendrime fikse me autoambulanca në zonat më të frekuentuara turistike. Gjithashtu do të përdoren edhe motoambulancat, të cilat ndihmojnë në përshpejtimin e ndërhyrjeve mjekësore duke shmangur trafikun e rënduar të sezonit.

Këto qendra janë pjesë e masave të marra nga autoritetet për të garantuar një sezon turistik të sigurt dhe të shëndetshëm për të gjithë pushuesit vendas dhe të turistët e huaj.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme