Sezoni veror/Nga 19 qershori, kufizime të reja për kamionët dhe mjetet e rënda në rrugët e vendit

Policia e Shtetit ka njoftuar se, në kuadër të masave për sezonin veror 2026, do të zbatohen kufizime të posaçme për qarkullimin e mjeteve të rënda në të gjithë vendin. Masa bazohet në udhëzimin e përbashkët nr. 106, datë 14.06.2024, të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Kufizimet do të jenë në fuqi nga 19 qershori deri më 15 shtator 2026 dhe do të aplikohen gjatë fundjavave dhe ditëve të festave zyrtare për mjetet e transportit të mallrave me masë totale maksimale të autorizuar mbi 7.5 tonë, si dhe për kategori të tjera të përcaktuara në udhëzim.
Sipas njoftimit, ndalimi i qarkullimit do të zbatohet:
Të premten nga ora 15:00 deri në 24:00,
Të shtunën nga ora 07:00 deri në 24:00 dhe
Të dielën nga ora 07:00 deri në 24:00.
Për festat zyrtare, kufizimet do të nisin nga ora 15:00 e ditës pararendëse deri në orën 22:00 dhe do të vijojnë nga ora 07:00 deri në 24:00 të ditës së festës.
Masat do të zbatohen në autostrada, rrugë interurbane dhe akse që lidhin zonat turistike dhe bregdetare, ku gjatë verës regjistrohen flukse të larta qarkullimi.
Nga kufizimet përjashtohen mjetet e emergjencës, automjetet e Policisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera shtetërore, si dhe mjetet që transportojnë mallra të domosdoshme, përfshirë produktet ushqimore që prishen. Në raste të veçanta dhe emergjente, autoritetet kompetente mund të lëshojnë autorizime të posaçme për qarkullim.
Policia e Shtetit u bën thirrje operatorëve të transportit dhe drejtuesve të mjeteve të respektojnë këto masa, me synim rritjen e sigurisë rrugore, lehtësimin e trafikut dhe garantimin e një sezoni turistik të sigurt.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



