SHBA, masa për të çmontuar rrjetet financiare të elitës sunduese të Iranit

Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka njoftuar se ka ndërmarrë hapa për të “çmontuar një rrjet shtëpish këmbimi valutash dhe kompanish fantazmë” që, sipas saj, Irani i ka përdorur për të shmangur sanksionet dhe për të lëvizur fshehurazi qindra miliona dollarë.
Në një deklaratë, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Pigott, tha se Thesari amerikan ka vepruar kundër rrjeteve “të paligjshme”, pa përmendur emra të veçantë.
“Ky veprim tregon vazhdimin e presionit maksimal të Administratës Trump ndaj Iranit, duke i prerë burimet që regjimi përdor për të kërcënuar stabilitetin rajonal, për të mbështetur terrorizmin dhe për të avancuar aftësitë e tij ushtarake”, deklaroi ai.
ipas Thesarit amerikan, ndër objektivat e masave të reja janë shtëpi këmbimi valutash me bazë në Dubai si Titan Exchange dhe Alps International, të cilat kanë luajtur rol kyç në transferimin e fondeve në emër të Bankës Shahr dhe kompanive të saj “rahbar”.
Këto struktura kanë mundësuar qindra miliona dollarë në transaksione në monedha të ndryshme gjatë vitit 2026, shpesh përmes kompanive fantazmë të regjistruara në Hong Kong, Singapor dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Disa individë iranianë që menaxhonin këto operacione, si dhe një numër kompanish frontale, janë përfshirë në listën e sanksioneve.
Autoritetet amerikane vlerësojnë se Irani është në mungesë të rëndë të monedhës së huaj dhe se korrupsioni brenda vetë sistemit të bankave në hije po e dëmton më tej regjimin. Duke goditur këto rrjete, SHBA synon të zvogëlojë aftësinë e Teheranit për të rikuperuar të ardhurat nga shitjet e naftës dhe për t’i përdorur ato për forcat e armatosura, prokurimet ushtarake dhe grupet proxy në rajon.
Masat janë marrë në bazë të Urdhrit Ekzekutiv 13902, i cili synon personat që veprojnë në sektorët financiarë dhe të naftës të Iranit, si pjesë e strategjisë së presionit maksimal të administratës amerikane.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




