SHBA rrezikon të mbetet prapa në garën e “AI” – Shefi i “Nvidia” paralajmëron se Kina po afrohet me shpejtësi në teknologjinë inteligjente

Amerikë | 11 muaj më parë

Drejtori ekzekutiv i kompanisë amerikane “Nvidia”, Jensen Huang, ka paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara po mbeten prapa në garën për inteligjencën artificiale, ndërsa Kina po përgatitet ta fitojë atë. Gjatë Samitit të “Financial Times” për të ardhmen e AI-së, Huang tha se “Perëndimi, përfshirë SHBA-në dhe Britaninë, po pengohet nga cinizmi” dhe kërkoi më shumë optimizëm.

Ai kritikoi politikat e reja amerikane që mund të sjellin deri në 50 rregullore të ndryshme për inteligjencën artificiale, duke i quajtur pengesë për zhvillimin.

Sipas tij, këto rregulla e vendosin SHBA-në në disavantazh përballë Kinës, e cila mbështet kompanitë vendase me energji të subvencionuar. “Në Kinë, energjia është falas për industrinë e teknologjisë”, theksoi ai.

Komentet e Huang vijnë në një kohë kur administrata e presidentit Donald Trump mban ende në fuqi ndalimin për shitjen e çipave më të avancuar të “Nvidia”-s drejt Kinës. Edhe pse Trump u takua kohët e fundit me presidentin kinez Xi Jinping, qëndrimi amerikan nuk ka ndryshuar.

Huang ka paralajmëruar më herët se modelet më të fundit të inteligjencës artificiale amerikane mezi i tejkalojnë rivalët kinezë. Ai kërkoi që qeveria të hapë tregun për çipat e “Nvidia”-s, për të ruajtur epërsinë amerikane në teknologji.

Ndërkohë, pas takimit me Xi-n, Trump deklaroi për “CBS Neës” se “çipat më të avancuar, si ‘Blackëell’, nuk do të shiten askund përveçse në SHBA”. Edhe zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, e përsëriti këtë qëndrim, duke thënë se vendi nuk është i interesuar t’ia ofrojë këta çipa Kinës “në këtë kohë”.

Gazetaret: A. Mata

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme