SHBA rrëzon një tjetër objekt mbi Alaskë nga një lartësi e madhe

Një “objekt në lartësi të madhe” është qëlluar dhe rrëzuar mbi Alaskë. Kjo u bë e ditur nga Shtëpia e Bardhë. Zëdhënësi, John Kirby tha se objekti pa pilot kishte “madhësinë e një makine të vogël” dhe ishte mbi një zonë me popullsi të vogël.
“Presidenti Joe Biden mori vendimin që objekti me origjinë të panjohur të rrëzohej,”- tha Kirby.
Rrëzimi i këtij objekti vjen pasi SHBA-ja rrëzoi një balonë kineze mbi ujërat e saj territorial.
Duke folur nga Shtëpia e Bardhë, Kirby shpjegoi se objekti mbi Alaskë po udhëtonte në një lartësi prej 12,000 metrash dhe përbënte një “kërcënim të arsyeshëm” për avionët civilë.
Ai tha se objekti kishte rënë në ujërat e SHBA-së që aktualisht janë të ngrira, dhe ishte shumë më i vogël se balona e rrëzuar javën e kaluar në brigjet e Karolinës së Jugut.
Zyrtarët e inteligjencës u vunë në dijeni të këtij objekti të enjten në mbrëmje.
“Ne nuk e dimë se kush e zotëron atë, nëse është në pronësi të shtetit, të ndonjë korporate apo në pronësi private,” tha ai.
Kirby tha se një avion luftarak i ishte afruar objektit dhe informoi se nuk kishte njeri në bord. Ky informacion ishte vënë në dispozicion presidentit Biden kur ai mori vendimin që të rrëzohej.
Zyrtarët nuk kanë përcaktuar ende nëse objekti ishte i përfshirë në vëzhgim. Ai nuk specifikoi vendndodhjen e saktë se ku u rrëzua objekti, por Administrata Federale e Aviacionit tha se kishte mbyllur hapësirën ajrore në zonën e Deadhorse, në veri të Alaskës. BBC
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




