Shefi i NATO: Komentet e Donald Trampit “cenojnë sigurinë e të gjithëve ne”

Botë | 3 vite më parë

Deklarata e ish-presidentit amerikan, Donald Tramp, që po bën fushatë për një tjetër mandat në Shtëpinë e Bardhë, se SHBA-ja nuk do t’i mbrojë aleatët e NATO-s nëse nuk rritin shpenzimet për mbrojtjen “do të cenonte sigurinë e të gjithëve”.

Kështu u shpreh shefi i aleancës ushtarake të Atlantikut Verior, Jens Stoltenberg, duke shtuar se një vendim i tillë do të vinte në rrezik trupat amerikane dhe europiane. “Ne mbetemi të gatshëm dhe të aftë të mbrojmë anëtarët tanë dhe çdo sulm do të përballet me reagimin e bashkuar dhe të fortë. Unë pres që kushdo t’i fitojë zgjedhjet presidenciale, SHBA-ja do të mbetet një aleat i fortë dhe i përkushtuar i NATO-s,” shtoi z. Stoltenberg.

Reagimi i tij erdhi pasi ish-presidenti i SHBA-së, republikani Tramp, tha se u ka sugjeruar aleatëve të vet se do të “inkurajonte” Rusinë të sulmonte çdo shtet anëtar të NATO-s nëse nuk përmbush objektivin e investimit prej 2% të PBB-së për interes të aleancës.

Shtëpia e Bardhë i quajti deklaratat e ish-presidentit Tramp “tronditëse dhe të çekuilibruara”.

Gjatë një tubimi në Karolinën e Jugut, kandidati republikan kujtoi një bisedë me liderin e një “shteti të madh”, i cili i kishte prezantuar situatën hipotetike se çfarë do të ndodhte nëse një vend anëtar i NATO-s nuk paguante detyrimet ndaj aleancës dhe sulmohej nga Moska.

“I thashë: ‘Nuk ke paguar? Je prapa me pagesat?’… ‘Jo, nuk do të të mbroja, në fakt do t’i inkurajoja që të bënin çfarë të duan. Duhet të paguash.’” u tha mbështetësve z. Tramp.

Sipas shifrave të NATO-s për vitin 2023, 19 nga 30 shtetet anëtare të aleancës shpenzojnë më pak se 2 për qind të prodhimit kombëtar për qëllime mbrojtjeve – këtu përfshihen edhe Gjermania, Norvegjia e Franca, ndërsa në 2023-in Shqipëria rezultonte në nivelin 1,72% e PBB-së për shpenzimet në fushën e mbrojtjes. /BBC

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme