Shembja e godinave 50-vjeçare, Ilir Meta: Qeveria shpërblen narko-trafikantët, do nxjerrë me dhunë qytetarët

Politikë | 4 vite më parë

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar mbi vendimin e fundit të qeverisë së kryeministrit Rama për auditimin e godinave 50-vjeçare që i hapin rrugë shembjes së 196 mijë banesave në kryeqytet.

Në një konferencë për mediat, kreu i Partisë së Lirisë ka theksuar se përmes kësaj skeme po synohet pastrami i parave të korrupsionit qeveritar dhe të gjithë burimeve të tjera kriminale.

“Janë vënë në shënjestër pronat e zgjedhura të qytetarëve, që gjenden kryesisht në qendër të Tiranës dhe të qyteteve të tjera kryesore të Shqipërisë, pikërisht sepse ndërtimet në këto zona sigurojnë fitime marramëndëse për klientët e qeverisë, për oligarkët, narkotrafikantët, ku pastrimi i parave të korrupsionit të qeverisë dhe të gjithë burimeve të tjera kriminale, të kryhet pa asnjë pengesë. Pasi grabitën të gjitha llojet e pronave, pasi shembën Teatrin Kombëtar në mesnatë, pasi kanë shembur kaq shumë banesa në mënyrë të paligjshme, pasi rrëmbyen përmes koncesioneve dhe PPP-ve asetet më strategjike të vendit, ky akt i fundit është sulm i drejtëpërdrejtë dhe brutal mbi qytetarët dhe pronat e tyre më jetike”, është shprehur Ilir Meta.

Meta ka theksuar më tej se vendimi i qeverisë shpërblen narko-trafikantët dhe oligarkët, që sipas Metës ata të vazhdojnë pasurimin së bashku me qeverinë, ndërsa banorët dhe qytetarët do të largohen me dhunë nga banesat e tyre.

“Pseudo argumentet mafioze shqiptarët i kanë dëgjuar dhe kur është shembur Teatri Kombëtar i cili i kishte rezistuar tërmeteve të njëpasnjëshme dhe u shemb vetëm me qëllim për të ndërtuar kullat. Kjo logjikë mafioze ka përballë një realitet shumë të qartë jo vetëm në Shqipëri por anë e mbanë Europës, ku ndërtimet rezultojnë të jenë qindra e mijëra vjeçare. Ky vendim i Këshillit të Ministrave është praktikisht një shpërblim për narko trafikantët dhe oligarkët, që ata të vazhdojnë pasurimin së bashku me qeverinë, që banorët dhe qytetarët të largohen me dhunë nga banesat e tyre e të degdisen në periferi të pashpërblyer e të plaçkitur”, tha Meta.

Kreu i PL-së ka shtuar se “qeveria po të ishte e sinqertë dhe e interesuar për ligjshmërinë, mund të bënte mjaft për të përmirësuar, për të restauruar ndërtesat dhe prona të caktuara, me mekanizma ligjorë dhe financiarë, duke respektuar e mbrojtur jo vetëm pronën e qytetarëve, por edhe trashëgiminë urbanistike dhe kulturore të vendit siç edhe në shumë vende të tjera europiane”.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme