Shëngjin/ Ansambli i Këngëve dhe Valleve, “pasaportë kombëtare”

Ansambli i Këngëve dhe Valleve zbriti në Shëngjin këtë fundjavë.
Artistët mbajtën një koncert në zonën turistike, e cila është e tejmbushur me pushues në këto ditë të nxehta gushti.
Këngët dhe vallet e interpretuara me mjeshtëri nga artistët e këtij ansambli tërhoqën vëmendjen e qindra pushuesve, të cilët kishin mbushur sheshin “Wilson”.
Folklori është një pasaportë kombëtare, “vlerat e të cilit u duhen përcjellë edhe turistëve që kanë zgjedhur Shqipërinë për të pushuar,” thotë drejtori i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve, Sokol Marsi.
“Artistët e ansamblit janë bërë një, janë bërë bashkë. Kjo ndodh rrallë, sepse ansambli, sigurisht, performon në skena të mëdha, por edhe afër publikut. Siç dihet, tradita jonë e mrekullueshme, këngët, folklori, burojnë nga shpirti i publikut dhe ai duhet të jetë aty afër,” shprehet Marsi.
Koncerti i Ansamblit të këngëve dhe valleve në Shëngjin zgjati për rreth 60 minuta, duke i dhënë tjetër gjallëri kësaj zone turistike.
Këto aktivitete kulturore po organizohen me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës.
Gazetare: Megi Mëhilli
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




