Sherri në Hamallaj, dëshmon ish-gardisti: Babai i familjes Kaçi na ofendoi, qëllova me armë të ndalja konfliktin

Aktualitet | 3 vite më parë

Ish-gardisti, Martin Nikolla, i cili paraditen e së dielës (30 korrik) u përfshi në një sherr mes familjes së tij dhe fqinjëve, dhe qëlloi me armë e shërbimit në ajër, ka rrëfyer versionin e tij të ngjarjes, përpara grupit hetimor.

Burime nga Policia e Durrësit bëjnë me dije se Nikolla ka deklaruar se babai i familjes Kaçi i ka ofenduar, e si pasojë ka nisur sherri.

Nikolla ka shtuar se ka qëlluar me armë në ajër, që të përfundonte konflikti.

“Erdhi babai i palës tjetër dhe na ofendoi. Konflikti ka nisur në fillim nga ana e tyre. Më pas gjërat u përkeqësuan dhe nisi konflikti më i rëndë. Në fund kam qëlluar me armë në ajër. Qëllimi ka qenë për të ndaluar sherrin dhe konfliktin që kishte nisur. Nxora armën për të qëlluar në momentin që sherri po degradonte deri në përdorim të sendeve dhe objekteve të forta”, ka thënë ai.

Të dielën, familjet Nikolla e Kaçi u përfshinë në një konflikt me shkopa bejsbolli e armë, ku u plagosën 3 persona.

Martin Nikolla, tashmë ish-punonjës i Gardës, qëlloi me armën e shërbimit në ajër, por fatmirësisht nga të shtënat nuk u lëndua askush.

Ministria e Brendshme e përjashtoi nga Garda, ndërsa AMP (Agjencia e Mbikëqyrjes Policore), e arrestoi për tre vepra penale, “Kanosja”, “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Gazetare: Flutura Tota

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme