Shkëmbenin drogë në det të hapur, 6 të arrestuar, mes tyre 2 ukrainas dhe ish-shefi i Policisë së Fushë-Krujës

Një operacion ndërkombëtar anti-drogë është zhvilluar nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me SPAK, Guardia di Finanza italiane dhe Frontex, që ka çuar në arrestimin e 6 personave.
Në një deklaratë për mediat, Policia e Shtetit bëri me dije se personat e arrestuar, 2 prej të cilëve ukrainas, trafikonin drogë nëpërmjet rrugëve detare. Ata u kapën teksa tentuan të shkëmbenin kanabis me lënë të tjera narkotike, me trafikantë të huaj, nëpërmjet një veliere në detin Adriatik.
Në momentin që kanë diktuar forcat e policisë, ata kanë djegur velierën me të cilën po lundronin. Policia bëri me dije se në total janë sekuestruar 23 kilogramë kanabis, 45 000 euro, 250 000 lekë, 500 paund, 50 franga dhe 2 000 lira.
Gazetarja e RTSH-së, Flutura Tota bëri me dije se një prej personave të vënë në pranga është edhe ish-shefi i Policisë së Fushë-Krujës, Arlind Ismailukaj.
Në pranga kanë rënë: Arlind Ismailukaj, 47 vjeç, banues në Tiranë; Armando Mema, 37 vjeç, banues në Tiranë; Nerim Çela, 40 vjeç, banues në Fushë Kuqe, Laç; Besnik Brokeri, 51 vjeç, banues në Vlorë; Kyrylo Ponomarenko, 39 vjeç, banues në Ukrainë; Kostiantyn Biellon, 44 vjeç, banues në Ukrainë.
Si u zhvillua operacioni
Operacioni filloi pas njoftimit të strukturave monitoruese në terren, për lëvizjen me shpejtësi të një mjeti lundrues, nga laguna e Patokut me drejtim jug-perëndimin.
Ky mjet lundrues është afruar pranë një tjetër mjeti lundrues tip veliere dhe më pas shtetasit që ishin në këto mjete lundruese, kanë shkëmbyer lëndë narkotike.
Në operacion u përfshinë avionët e Frontex-it dhe të GDF-së, ndërsa nga deti u përfshinë mjetet e Policisë Kufitare dhe mjetet e GDF-së, të cilat kanë bërë rrethimin e veleries.
Shtetasit që ndodheshin në velerie, sapo kanë konstatuar se ishin rrethuar nga Policia, i kanë vënë zjarrin mjetit lundrues dhe kanë tentuar të largohen me një barkë të vogël shpëtimi, por janë kapur në flagrancë.
Në të njëjtën kohë me ndërhyrjen nga deti, efektivët e Repartit Special “RENEA” kanë ndërhyrë nga toka, në ambientet e një restoranti në lagunën e Patokut, ku po qëndronin disa shtetas që dyshohet se kishin lidhje me tentativën për të trafikuar lëndë narkotike.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




