Shkodër/ Muzeu i Kalasë së Rozafës, destinacion i preferuar nga turistët

Sezoni i sivjetëm turistik nuk po tërheq vëmendjen e vizitorëve vetëm me bregdetin e mrekullueshëm shqiptar, por edhe me sitet historike e kulturore.
Muzeu i kalasë Rozafa është kthyer në destinacionin e turistëve vendas e të huaj.
Në muze gjen të ekspozuar objekte që i përkasin antikitetit dhe mesjetës, si dhe mozaikun romak të shekullit IV pas Krishtit.
Muzeu pasqyron objekte të periudhës së pushtimit osman, si dhe maketin e kalasë. Maketi paraqet territorin përreth saj në shekullin XVIII kur Shkodra ishte qendër e pashallëkut të Bushatllinjve.
Përgjegjësi i muzeut, Ndriçim Mlika, tregon se këtë sezon ka pasur një rritje të vizitueshmërisë.
“Qershori ka pasur 32 për qind rritje, kurse korriku 25 për qind, duke pasur parasysh edhe temperaturat e korrikut. Më tepër se gjysma e të huajve janë francezë,” deklaron Mlika.
“Unë vij nga Berati dhe jam e martuar me një arbëresh dhe jetoj në Gjermani. Sot kam sjellë vajzat për të parë histori shqiptare,” shprehet një turiste beratase.
“Është shumë i bukur. Duhet ta vazhdojnë ta mbajnë kështu. Të ketë edhe më shumë turizëm, të interesuar për historinë tonë,” shton një tjetër qytetar.
Shifrat e publikuara nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Shkodër për muajin korrik tregojnë se kështjella e qytetit është vizituar nga 12 912 vizitorë.
Në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ajo u vizitua nga 11 640 vizitorë, që do të thotë se sivjet ka pasur rreth 1.272 vizitorë më shumë se vitin e kaluar.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




