Shpërthimi i makinës së kreut demokrat të Vaut të Dejës, Bardhi: Zgjedhjet lokale kanë marrë një goditje të rëndë

Politikë | 4 vite më parë

Deputeti demokrat, Gazment Bardhi ka reaguar në lidhje me shpërthimin me tritol të makinës së kreut të Partisë Demokratike të Rithemelimit në Vaun e Dejës, Benard Nreca.

Sipas Bardhit, ngjarja ka ndodhur për motive politike, teksa e konsideron atë si “goditje të rëndë” për zgjedhjet lokale. Deputeti demokrat i bën thirrje autoriteteve që vendosin autorët para përgjegjësisë.

“Zgjedhjet lokale sot kanë marrë një goditje të rëndë. Akti i sotëm kriminal në Vaun e Dejës ndaj Bernard Ndrecës është i papranueshëm dhe thellësisht i dënueshëm.  Duke u solidarizuar plotësisht me të dhe familjen e tij, apelojmë që autoritetet ligjzbatuese të zbardhin menjëherë rastin dhe të vendosin përpara përgjegjësisë autorët. Zgjedhjet duhet të jenë shkëmbim idesh e alternativash, dhe kurrsesi luftë e intimidim me metoda kriminale”, thotë Bardhi.

Ngjarja ndodhi rreth orës 07:10 të së hënës (11 prill) në fshatin Paçram, ku lënda plasëse ishte vendosur në pjesën e përparme të mjetit tip “Audi” të Nrecës, ndërsa shpërtheu sapo ai u fut në automjet. Fatmirësisht Ndreca nuk pësoi lëndime nga shpërthimi, ndërsa ngjarja nuk është zbardhur ende.

Për ngjarjen reagoi edhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili bëri përgjegjës drejtpërdrejtë kryeministrin Edi Rama dhe Ministrin Bledi Çuçi. Megjithatë, Ministrja Elisa Spiropali u përgjigj duke i konsideruar akuzat si përpjekje “për të rritur kapitalin politik.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme