Shpresa për një armëpushim të përkohshëm në Gazë

Ndërmjetësuesit po bëjnë përparim lidhur me një marrëveshje për një armëpushim javor midis Izraelit dhe Hamasit, si dhe lirimin e dhjetëra pengjeve të mbajtura në Gaza dhe palestinezëve të burgosur nga Izraeli. Kjo u bw e ditur nga mediat izraelite të dielën.
Kabineti i Luftës i Izraelit u takua për të diskutuar propozimin të shtunën vonë, por nuk kishte asnjë fjalë zyrtare për atë që kishin vendosur.
Disa media izraelite, duke cituar zyrtarë të paidentifikuar, thanë se miratuan në heshtje marrëveshjen dhe se Izraeli do të dërgonte një delegacion në Katar për diskutime të mëtejshme.
Hamasi thotë se nuk është përfshirë ende në propozimin e fundit të zhvilluar nga Shtetet e Bashkuara, Egjipti dhe Katari, por përmbledhja e raportuar përputhet kryesisht me kërkesat e tij të mëparshme për fazën e parë të një armëpushimi.
Udhëheqësi më i lartë politik i Hamasit, Ismail Haniyeh, ishte në Kajro javën e kaluar.
Izraeli, ndërkohë, po planifikon zgjerimin e ofensivës në qytetin jugor Rafah, në kufi mes Gazës dhe Egjiptit, ku është zhvendosur më shumë se gjysma e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh.
Organizatat humanitare kanë paralajmëruar se ofensiva do të ishte katastrofë për banorët e zhvendosur. Shtetet e Bashkuara dhe aleatë të tjerë i kanë bërë thirrje Izraelit që të shmangë lëndimin e civilëve.
Sulmet e ashpra vazhduan edhe të dielën në veri të Gazës. Banorët njoftuan për luftime të ashpra në lagjen Zaytoun, në qytetin e Gazës. AP
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




