Shqetësimet e PD-së për votimin në Greqi, KQZ kërkesë për informacion DHL-së

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i është drejtuar me një kërkesë kompanisë postare DHL International lidhur me procesin e shpërndarjes së zarfeve të votave dhe dokumenteve zgjedhore për diasporën shqiptare.
KQZ i është drejtuar konkretisht lidhur me shpërndajnë e votave në Greqi, ku janë shfaqur disa problematika, gjë që ka ngritur shqetësimin edhe të subjektit zgjedhor Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore.
KQZ i ka drejtuar 9 pyetje kompanisë së DHL-së ku kërkohet informacion mbi përfshirjen e palëve të treta dhe natyra e marrëveshjeve përkatëse, numrin e zgjedhësve që nuk kanë marrë njoftim për dërgesën postare, arsyet e mosdorëzimit të dokumentacionit etj. KQZ thekson rëndësinë dhe urgjencën e këtij procesi, duke kërkuar që informacioni të vihet në dispozicion sa më shpejt.
Një ditë më parë Aleanca për Shqipërinë Madhështore (PD-ASHM) i ka dërguar një letër KQZ ku raporton problematikat e gjetura, sipas tyre, lidhur me votën e diasporës në zgjedhjet e 11 majit, kryesisht në Greqi. PD-ASHM thekson se problematikat më të mëdha janë hasur me komprometimin e integritetit të fletës së votimit, rrezikimin e fshehtësisë së votës apo edhe pamjaftueshmërisë së mbikëqyrjes administrative.
Kërkesa e KQZ
Në vijim të procesit të votimit nga jashtë vendit, në vlerësim të shqetësimeve të subjektit zgjedhor Partia Demokratike Aleanca për Shqipërinë Madhështore në lidhje me procesin e shpërndarjes së dokumentacionit zgjedhor me Greqi jeni të lutur të na dërgoni URGJENTISHT, një raport në lidhje me këtë proces, referuar çështjeve si më poshtë:
1. Cilat janë strukturat dhe/ose personeli i angazhuar në këtë proces?
2. A i është deleguar ky proces subjekteve të treta? Nëse po, cila është marrëveshja?
3. Sa është numri i zgjedhësve të cilëve nuk ju është dërguar njoftim për dërgesën postare të KQZ
4. Cilat janë arsyet që kjo nuk është bërë?
5. Sa është numri i zgjedhësve që nuk ju është dorëzuar fare dokumentacioni zgjedhor”
6. Sa është numri i zgjedhësve të cilëve nuk ju është dorëzuar personalisht në dorë dokumentacioni zgjedhor?
7. A e dispononi ju dokumentacionin provues të rasteve të dorëzimit të dokumentacionit zgjedhor personalisht zgjedhësit?
8. Sa është numri i zgjedhësve të cilëve dokumentacioni zgjedhor ju është tërhequr në banese, pasi kjo ju është kërkuar nga zgjedhësi? A dispononi ju dokumentacionin provues për këto raste
9. Sa është numri i zgjedhësve që e kanë dorëzuar kthyer dokumentacionin zgjedhor në zyra apo qendra të tjera pritëse të operatorit të shërbimit postar? Cili është dokumentacion provues për këtë rast?
Për shkak të rëndësisë dhe urgjencës së këtij procesi, kërkojmë që informacioni i mësipërm të na vihet në dispozicion brenda një afati sa më të shkurtër.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





