Shqipëri–Kosovë lehtësojnë procedurat doganore/ Hyn në fuqi marrëveshja e korrikut

Ekonomi | 3 vite më parë

Eshtë botuar në Fletoren Zyrtare dhe ka hyrë menjëherë në fuqi marrëveshja mes dy qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, që lehtëson procedurat doganore për inspektimin e produkteve me origjinë joshtazore.

Marrëveshja e nënshkruar më 5 korrik 2023, u miratua në mbledhjen e fundit të qeverisë, më 30 gusht. Ajo ka një kohëzgjatje prej pesë vitesh dhe mund të ripërsëritet.

Synimi, sipas nënshkruesve të saj, është promovimi i tregtisë, heqja e barrierave dhe lehtësimi i procedurave të kontrollit, me synim forcimin dhe shtrirjen e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, si dhe zhvillimin e bashkëpunimin në fushën e bujqësisë, sikundër thuhet në marrëveshje.

Sipërmarrjet e të dyja vendeve, që kishin hasur barriera të dukshme në tregtinë dypalëshe, kanë rënë dakord që kontrolli në import, tranzit dhe eksport të produkteve ushqimore me origjinë joshtazore mund të kryhet në Pikën e Inspektimit Kufitar ose në doganën më të afërt të vendit të destinacionit, sipas kërkesës së subjektit.

Autoritetet për sigurinë ushqimore të secilës palë do të lejojnë importin dhe eksportin, shoqëruar me certifikata të njohura ose raport-analiza apo dokument tjetër të përshtatshëm, të lëshuar sipas legjislacionit të secilës palë, që garanton sigurinë ushqimore, thuhet në marrëveshje.

Shkëmbimet tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës gjatë 7-mujorit të këtij viti llogariten mbi 30 miliardë lekë.

Sikurse është bërë e ditur më herët, dy qeveritë po punojnë për bashkimin doganor, duke synuar heqjen e të gjitha barrierave mes dy vendeve që bashkëpunimi tregtar të mos ketë asnjë pengesë.

Gazetar: Bardhi Sejdarasi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme