Shqipëri-Ukrainë, Rama dhe Zelenski firmosin traktaktin e miqësisë dhe bashkëpunimit

Politikë | 3 vite më parë

Pas takimit “kokë më kokë”, Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski (Volodymyr Zelensky) kanë firmosur Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit mes Republikës së Shqipërisë dhe Ukrainës”.

Traktati i shërben konsolidimit të miqësinë mes dy vendeve dhe popujve, përmes zgjerimit dhe forcimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë.

Në nisje të ceremonisë së nënshkrimit, Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky i dorëzoi Kryeministrit Rama Urdhërin e Princit Jaroslav i Urti, për kontributin e jashtëzakonshëm personal, gjithashtu edhe për mbështetjen.

Shqipëria është renditur që në krye të herës përkrah vendeve mbështetëse të Ukrainës dhe luftës së saj të drejtë në mbrojtje të popullit ukrainas, – duke luajtur një rol të rëndësishëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për të fituar mbështetje diplomatike për Ukrainën, si dhe duke vendosur  theksin te nevoja thelbësore për një veprim efektiv shumëpalësh, si metoda më e mirë për zgjidhjen e problemeve të përbashkëta, në mënyrë të vecantë, të paqes e sigurisë.

Para nënshkrimit të traktatit, Presidenti Zelenski zhvilloi një takim “kokë më kokë” që zgjati  rreth 30 minuta me Kryeministrin Edi Rama.

Në një reagim në X (dikur Twitter), Zleneksi shkruan se ky Traktat do të ndihmojë në forcimin e bashkëpunimit me Shqipërinë dhe pozicionin e Ukrainës në Ballkan.

“Që në ditët e para të pushtimit të plotë, Shqipëria ka mbështetur Ukrainën në luftën tonë për liri dhe integritet territorial. Gjatë takimit me kryeministrin shqiptar Edi Rama ne nënshkruam Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit ndërmjet Ukrainës dhe Shqipërisë. Ky dokument do të ndihmojë në forcimin e bashkëpunimit tonë me Shqipërinë dhe pozicionin e Ukrainës në Ballkan. Sot diskutuam gjithashtu nevojat e mbrojtjes së Ukrainës dhe prodhimin e mundshëm të armëve të përbashkëta. I jemi mirënjohës qeverisë dhe popullit shqiptar. Nuk do ta harrojmë kurrë qëndrimin e ngrohtë të shoqërisë shqiptare ndaj ukrainasve”, shkruan Presidenti ukrainas.

Dyshja do të mbajë një konferencë të përbashkët për shtyp në orën 13:30, pas përfundimit të punimeve të Samitit “Ukrainë – Europa Juglindore”.

Në samitin e sotëm marrin pjesë Presidentja e Moldavisë, Maja Sandu; Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq; Presidenti i Malit të Zi Jakov Milatovic; Kryeministri i Kroacisë Andrej Plenkovic; Kryeministrja e Bosnje-Hercegovinës Borjana Kristo; Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani; Presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski. Ndërsa disa prej liderëve të vendeve që nuk kanë mundur të jenë pjesë e Samitit, do të dërgojnë video mesazhe. Presidenti i Turqisë, Tayip Erdogan dhe Kryeministri i Greqisë Kirios Micotaqis do të dërgojnë video mesazhe gjatë Samitit “Ukrainë – Europa Juglindore”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme