Shqipëria në Eurovizion, Shkodra Elektronike plotëson detajet tekniko-artistike para testit të 13 majit
Edhe pak ditë kanë mbetur nga gjysmëfinalja e parë e Eurovizion 2025, që këtë vit po zhvillohet në Bazel të Zvicrës.
Pas provës së parë të suksesshme, që u bë pak ditë më pare në arenën e St Jakobshalle, Shkodra Elektronike ka realizuar provën e dytë skenike, ku janë përcaktuar dhe detajet e fundit tekniko-artistike për performancën e tyre, që do të prezantohet në gjysmëfinalen e parë, më 13 maj.
Për dy artistët, Beatriçe Gjergji e Kolë Laca, dita sot ka qenë shumë e rëndësishme, po aq sa edhe emocionuese.
“Në provat e fillimit kishim disa gjëra për të rregulluar. Tani në fund e arritëm për të pasur një skenë për të cilën kishim nevojë… Emocione… një çik, po, por më fort fokusim. Kur je duke përgatitur një gjë truri duhet të jetë i fokusuar në punë, jo në frikë. Por një fije…” thotë këngëtarja, Beatriçja.
“Zjerm” e Shkodrës Elektronike do të vijë në arenën e Eurovizionit si një gërshetim i traditës shqiptare me muzikën elektronike.
Kostumografia është krijuar nga Irina Dema, qe ka qëndisur mbi trupin e së bijës, legjendën e Rozafës së Shkodrës. Koncepti skenik është realizuar nga Ombra World Studio në Londër, me drejtim artistik nga Lorenzo De Pascalis. Dizajnet vizuale janë krijuar nga Emanuele Kabu, ndërsa ndriçimi nga Giorgio de Cassan.
“Zjerm” është kënga që Shkodra Elektronike e krijoi që t’u përkasë të gjithëve, ndaj shqiptarët kudo ku jetojnë jashtë Shqipërisë duhet ta votojnë që ajo të marrë vendin që meriton në këtë Eurovizion.
“Shqiptarë Shqipnie e shqiptarë Kosove, tërë njerëzit që flasin shqip, të na votojnë edhe po s’i pëlqeu kënga. Çfarë ju kushton?! Na votoni!” bëri thirrje artisti Laca.
Gazetare: Amela Koçerri
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





