Shqipëria në OKB, Begaj: Drejtuam Këshillin, kërkuam njohjen e Kosovës

Presidenti shqiptar Bajram Begaj e ka cilësuar të suksesshme vizitën e delegacionit shqiptar të nivelit të lartë në OKB.
Ai kujtoi se në fjalën e tij para OKB kërkoi njohjen e Kosovës, ndërsa kryeministri Rama drejtoi mbledhjen e këshillit të sigurimit ku dhe u përball me Rusinë të cilës i kërkoi të ndalte luftën në Ukrainë.
Zoti Begaj i bëri deklaratat e tij në një intervistë dhënë gazetares së Radio Televizionit Shqiptar Blerta Tafani.
Fillimisht presidenti Bajram Begaj ju përgjigj pyetjes se çfarë u arrit në punimet e Asamblesë së Kombeve të Bashkuara.
“E vlerësoj një javë të ngjeshur me disa takime me aktivitete të cilat ky forum që mblidhet një herë në vit e ka rëndësinë e vet. Pa dyshim java filloi me një takim të nivelit të lartë për sa i përket objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm dhe u miratua një deklaratë e përbashkët, të gjitha vendet pavarësisht sa të pasura apo të varfra janë, kanë përcaktuar objekte strategjike se ku duhet të punojnë për të arritur objektiva. Në fokus të këtyre objektivave është njeriu , është individi dhe rreth tij duhet të punohet që asnjëherë të mos jetë i abandonar, i përjashtuar të punohet për mirëqenien ekonomike duke pasur paqe, siguri, stabilitet, progres dhe zhvillim të qëndrueshëm,” the presidenti Begaj.
Duke kujtuar se Shqipëria jo vetëm i ka përqafuar këto objektiva për një zhvillim të qëndrueshëm për axhendën e vitit 2030, por është bërë herë pas here edhe nismëtare për një realizim sa më të mirë të këtyre objektiva, gazetarja Blerta Tafani, pyeti nëse a kanë marrë autoritetet shqiptare vlerësime nga lider botëror që kanë qenë të pranishëm në samit?
“Patjetër, këto objektiva të zhvillimit të qëndrueshëm janë përqafuar nga Shqipëria, këto objektiva kanë disa vite që janë darkodsuar, por për shkak të luftës në Ukrainë, për shkak të pandemisë, për disa ngjarje të cilat kanë ndodhur në lidhje me katastrofat kanë bërë që këto objektiva të ngadalësohen ose në disa vende të mos zhvillohen fare. Aktualisht është momenti ku duhet të ndërgjegjësohemi që të punojmë aktivisht të gjithë bashkë të bëjmë të mundur arritjen e këtyre objektivave,” tha presidenti Bajram Begaj.
Lidhur me takimet bilaterale, zoti Begaj tha se në to nuk mund të mungonte Kosova. “Për mua është prioriteti i prioriteteve,” tha ai. Pala shqiptare ka diskutuar se si situata duhet të zgjidhet, duke nënvizuar nevojën e fokusimit në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe anekseve të dakordësuar në Ohër, tha ndër të tjera presidenti Begaj. “E vetmja rrugë për të dalë nga zgripi i mosmarrëveshjeve është kompormisi,” tha ai.
Lidhur me bashkëpunimin me autoritetet kosovare ai tha se “duhet të bashkojmë forcat për të bashkëpunuar në drejtim të njohjeve të reja, për të punuar që Kosova të anëtarësohet në organizmat ndërkombëtare”.
Duke folur mbi aktivitetin një vjeçar si presidenti i vendit zoti Begaj tha se shpresonte që ai të kishte përcjellë mesazhin se vendit i duhej një debat politik konstruktiv, me ide dhe pikipamje, pa sherre, sepse qytetarët shqiptarë presin shumë. “Përgjigjësia ime është të jem përfaqësues i unitetit të popullit dhe të jem mbi palët politike,” tha presidenti Bajram Begaj në një intervistë dhënë gazetares së Radio Televizionit Shqiptar Blerta Tafani.
/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



