Shqipëria ngushton distancën me BE-në, ministri Malaj: Rritja ekonomike arrin në 3,71% në tremujorin e parë 2026
Ekonomia shqiptare ka regjistruar një ritëm të fortë zgjerimi gjatë tremujorit të parë të vitit 2026, duke arritur një rritje prej 3,71%. Ky tregues e pozicionon vendin në krye të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe dukshëm mbi mesataren e Bashkimit Evropian, siç bëri të ditur Ministri i Financave, Petrit Malaj.
Krahasimi rajonal dhe me Bashkimin Evropian
Sipas të dhënave të publikuara, ecuria ekonomike e Shqipërisë dhe Kosovës po udhëheq rajonin, duke tejkaluar mesataren prej 3,30% të Ballkanit Perëndimor. Në krahasim me bllokun evropian, ku rritja mesatare për të njëjtën periudhë ishte vetëm 0,7%, performanca e Shqipërisë qëndron 3,01 pikë përqindje më lart.
| Shteti / Rajoni | Rritja Ekonomike (T1 2026) |
| Shqipëria | 3,71% |
| Mali i Zi | 3,69% |
| Serbia | 3,20% |
| Maqedonia e Veriut | 3,10% |
| Bosnjë-Hercegovina | 1,90% |
| Mesatarja e Ballkanit Perëndimor | 3,30% |
| Mesatarja e Bashkimit Europian | 0,70% |
Sipas autoriteteve financiare, ky rezultat i detyrohet zbatimit të politikave të qëndrueshme ekonomike që kanë nxitur konsumin, punësimin, aktivitetin e biznesit dhe investimet direkte.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Ministri i Financave Petrit Malaj theksoi vizionin për ecurinë e mëtejshme të tregut:
“Me 3.71% rritje ekonomike në tremujorin e parë 2026, Shqipëria renditet në krye të rajonit së bashku me Kosovën dhe shumë mbi ritmin mesatar të Bashkimit Evropian prej vetëm 0.7%. Ky rezultat është dëshmi e një vizioni të qartë dhe politikave të qëndrueshme ekonomike. Pritshmëritë janë edhe më pozitive: me vijimin e këtyre masave, performancës së turizmit dhe sektorëve prioritarë, presim që rritja të përshpejtohet në tremujorët e ardhshëm.”
Zyrtari i lartë i Financave shprehet optimistë se sektori i turizmit dhe investimet strategjike do të shërbejnë si motorët kryesorë për përshpejtimin e mëtejshëm të rritjes ekonomike gjatë pjesës së mbetur të vitit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.






