Shtohet prodhimi i energjisë elektrike nga impiantet fotovoltaikë

Ekonomi | 3 vite më parë

Në Shqipëri gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2023 janë shënuar zhvillime në drejtim të prodhimit të energjisë nga dielli.

Sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë, me vënien në punë të disa impianteve të rinj fotovoltaikë, kapaciteti total i instaluar arriti në 40 MW, nga 22 MW që ishte në fund të vitit 2022. 

Në total numri i impianteve që kanë gjeneruar energji nga dielli, në fund të muajit qershor të këtij viti arriti në 19, nga 11 që ishte në fund të vitit që shkoi.

Gjithsesi, të dhënat për prodhimin e energjisë nga dielli mbeten modeste, në raport me energjinë e prodhuar nga burimet ujore.

Për 6 mujorin e parë të këtij viti sasia e prodhuar nga impinatet fotovoltaike arriti në 0.77% të totalit. 

Në total, nga këto impiante u sigurua rreth 39 mijë mWh energji.

Pavarësisht sasisë tejet të ulët në raport me atë të prodhuar nga hidrocentralet, prodhimi i energjisë nga dielli merr një rëndësi të veçantë në drejtim të diversifikimit të burimeve. Shqipëria e prodhon 99 përqind të energjisë nga HEC-et, çka në periudha thatësirash pasohet me fatura tejet të kripura të importit të energjisë për plotësimin e nevojave konsumatore.

Ndërkaq vendi ka mbi 300 ditë me diell çka konsiderohet rezervë energjitike.

Veç energjisë nga uji dhe dielli, Shqipëria ka si potencial edhe energjinë e erës, e cila pritet të zhvillohet në të ardhmen.

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme