Shtyhet rikthimi i Vedat Muriqit

Spanjë | 3 vite më parë

Vedat Muriqit i është ndërlikuar disi situata, pasi mund të mungojë gjatë gjithë muajit janar. Ylli i futbollit të Kosovës pritej të rikthehej javën e ardhshme në fushën e blertë, pas dëmtimit që e la jashtë fushës së blertë për plot dy muaj. Mirëpo, rikthimi i sulmuesut të njohur ndryshe me noftën “Pirati”, që pritej të ndodhte më 13 janar kundër Celta Vigos duket se do të mbetet vetëm dëshirë. Mediat spanjolle raportojnë se 29-vjeçari nuk ndihet ende i gatshëm për t’u rikthyer. Madje, ato shtojnë se lojtari i Përfaqësueses së Kosovës mund ta humbasë edhe krejt muajin janar.

Edhe trajneri Havier Aguirre e konfirmoi një lajm të tillë në konferencën për shtyp para ndeshjes së të mërkurës me Realin e Madridit. “Nuk besoj se do ta kemi në dispozicion Muriqit gjatë janarit”, deklaroi ai. Futbopllistit nga Prizreni iu bënë testet së fundmi dhe ato konfirmuan se dëmtimi i pulpës, i pësuar më 12 nëntor në ndeshjen Kosovë-Izrael, nuk është kaluar në mënyrë të kënaqshme.

Fillimisht parashikohej që Muriqi do të mungonte vetëm 4 deri në 6 javë, por tanimë po rezulton që tërheqja muskulore në stadiumin “Fadil Vokrri” mund ta lë ish-futbollistin e Rizersporit, Fenerbahçes dhe Lacios për gati 3 muaj jashtë fushave të futbollit. Muriqi është lojtari më i rëndësishëm i Majorkës në 3 sezonet e fundit dhe mungesa e tij është e dukshme tek ekipi ishullor.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme